Bashkimi Evropian është për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe problemi nuk është në anën e BE-së, por sfida i mbetet palës kosovare për të kaluar demarkacionin.
Kështu ka deklaruar Katerina Lopo, zyrtare politike në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Vetëm sa për të qartësuar, BE është për liberalizimin e vizave për Kosovë. Ne besojmë se Kosova nuk do të duhej të jetë e izoluar nga Ballkani, e vetmja nga Ballkani dhe se të rinjtë do të duhej të ishin në gjendje të udhëtonin pa viza, por siç jeni të vetëdijshëm problemi nuk është në anën e BE-së, sfida i mbetet palës kosovare. Për gati dy vjet tashmë e kemi një bllokadë politike lidhur me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Lidershipi politik dhe deputetët e Kuvendit janë duke e mbajtur Kosovën peng, duke mos ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit”, tha ajo.
Ndërsa, ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, tha se Kosova nga 95 kushte ka mbetur pa e përmbushur demarkacionin dhe vazhdimin e luftimit të krimit dhe korrupsionit .
“Ajo çka pres është që Kuvendi do të duhej ta ratifikonte marrëveshjen e demarkacionit. Ajo që dua të them është që kjo marrëveshje duhet të ratifikohet pasi që qytetarët po e vuajnë më së shumti këtë izolim”, tha Ahmetaj./KP/Telegrafi/