Site icon Telegrafi

Londra nikoqire e takimit ku do të diskutohet për krimet e luftës në Ukrainë

Ministrat e Drejtësisë nga një numër vendesh anembanë botës do të mblidhen në Londër në mars, për të forcuar mbështetjen për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës (ICC) në hetimet e saj për krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë, ka njoftuar qeveria britanike.

Në takimin e marsit, i cili do të organizohet nga ministri britanik i Drejtësisë, Dominic Raab dhe homologu i tij holandez Dilan Yesilgoz-Zegerius, do të jetë i pranishëm edhe kryeprokurori i ICC-së, Karim Khan, transmeton Telegrafi.

“Pothuajse një vit pas pushtimit të paligjshëm, komuniteti ndërkombëtar duhet të japë mbështetjen më të fortë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mënyrë që kriminelët e luftës të mbahen përgjegjës për mizoritë që po shohim”, tha Raab, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Në takim do të bëhen përpjekje të rritet mbështetja financiare dhe praktike globale për ICC-në, dhe përpjekjet e përbashkëta për të siguruar që gjykata të ketë gjithçka që i nevojitet për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës, thuhet në deklaratë.

Rusia, e cila i quan veprimet e saj në Ukrainë një operacion të posaçëm ushtarak, ka mohuar të ketë shënjestruar civilët dhe të ketë kryer krime të tjera lufte. E Ukraina dhe Perëndimi thonë se Moska nuk ka asnjë justifikim për atë që ata e quajnë një luftë pushtuese të stilit perandorak.

Khan hapi një hetim mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë vitin e kaluar. Ekspertët ligjorë thonë se juridiksioni i gjykatës shtrihet vetëm në shtetet anëtare dhe vendet që kanë rënë dakord për juridiksionin e gjykatës, gjë që e ka bërë Ukraina, por jo edhe Rusia. Moska nuk e njeh ICC-në.

“Është e qartë për ne – këto krime mund të mos mbeten të pandëshkuara”, tha Yesilgoz-Zegerius, duke i përshkruar raportet dhe imazhet që dalin nga Ukraina si të tmerrshme. /Telegrafi/

Exit mobile version