Site icon Telegrafi

Lojërat e luftës të Rusisë shtrihen shumë përtej Ukrainës

Nga: Nicholas Soames / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Pavarësisht se ngec në vijën e frontit në Ukrainë, Vladamir Putini nuk mund të nënvlerësohet. Derisa angazhimet për luftën e Rusisë e kanë shtyrë atë që për municione të bëjë marrëveshje me diktatorët, si me Kim Jong-unin në Korenë e Veriut, Putini mbetet kalkulant i matur. Pas 24 vjetëve në pushtet, vazhdon të zgjerojë shtrirjen e Rusisë në mënyra të reja të fshehta, duke minuar zhvillimet globale për të siguruar në çdo hap përfitime për Rusinë.

I bllokuar në Ukrainë, Putini i është kthyer Afrikës si një front i ri për të sfiduar vlerat dhe interesat perëndimore, duke përdorur karotën e korrupsionit për të mbështetur fraksionet autoritare brenda demokracive të lëkundshme. Në rajonin e Sahelit dhe në vendet si Republika e Afrikës Qendrore, shpejt ka krijuar miqësi me ata të cilët i përbuzin të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ndërsa “teknologët politikë” nga Grupi Wagner e përdorin dezinformimin për të futur një pykë midis njerëzve të zakonshëm dhe Perëndimit.

Shembull i tillë është Libia, ish-bastioni i Muammar Gaddafit. Duke përdorur tensionet e vazhdueshme civile dhe luftimet midis qeverisë në Perëndim të Abdelhamid Dbeibehut – të mbështetur nga OKB-ja – dhe gjeneralit Haftar në Lindje, Putini ka mbështetur plotësisht përpjekjen e Haftarit për të krijuar një dinasti të re që do ta kthejë Libinë në diktaturë.

Kjo miqësi e re jo vetëm që ia ka mundësuar atij të dërgojë në atë vend dhe më gjerë forcat e veta mercenare, duke destabilizuar vazhdimisht pjesën më të madhe të Afrikës Sub-Sahariane, por gjithashtu ka mundësuar që të fillojnë diskutimet për një bazë të re të nëndetëseve bërthamore ruse, e cila do të ndërtohet në Portin libian të Tobrukut. Për mendimin tim, kjo ngjall skenarin e Krizës së Raketave Kubane, vetëm se këtë herë në kryqëzim me Evropën dhe me Detin Mesdhe si një fushëbetejë e re e mundshme për Evropën Perëndimore.

Udhëheqësit tanë duhet të zgjohen nga këto lojëra politike të Putinit. Derisa Ukraina është e rëndësishme dhe ka nevojë për mbështetjen tonë të plotë, nuk mund të mendojmë se në mendje Putini ka një fushatë të vetme ushtarake.

Pikënisja është analiza e burimeve të fuqisë për aleatët e rinj të Putinit dhe të sigurohemi se ata nuk mund të përparojnë dhe të inkurajojnë edhe më tej ambiciet e rrezikshme të Kremlinit.

Për gjeneralin Haftar, të njëjtat para që derdheshin në llogarinë bankare të Muammar Gaddafit, tani po derdhen në milicitë e tij personale. Në teori, pas revolucionit të vitit 2011, pasuria marramendëse e naftës së Libisë duhet të ketë lehtësuar rrugën drejt prosperitetit ekonomik dhe shtetit funksional, por, në vend të kësaj, vendi në çdo hap është përdorur për të penguar ambiciet demokratike të popullit libian.

Udhëhequr nga Ferhat Bengdara, Korporata Kombëtare e Naftës (KKN) është thelbësore për këtë mundësi të humbur. Korrupsioni në rritje dhe keqmenaxhimi brenda KKN-së janë endemike dhe mirë të dokumentuara. Çështjet serioze janë përmendur muajt e fundit, duke përfshirë financat në vlerë të miliarda dollarëve të cilat mungojnë nga llogaritë e KKN-së, çështjet mbi përmbushjen e marrëveshjeve energjetike me Evropën dhe vënien në punë të projekteve të reja të fushave të naftës përmes marrëveshjeve sekrete. Ky korrupsion është lehtësuar nga ndjenja e qartë e mosndëshkimit, bashkë me angazhimin e gjeneralit Haftar për të përvetësuar burimet kombëtare si të vetat dhe për të prishur procesin demokratik.

Ndërkohë, libianët luftojnë për të pasur ushqim mbi tavolinë, për të ndriçuar shtëpitë e veta dhe, në mënyrë të habitshme, për të furnizuar gjeneratorët me karburant, duke qenë se qëndrojnë mbi një det me naftë. Infrastruktura e Libisë, e cila ka shumë nevojë për investime, injorohet nga zyrtarët të cilët mbushin xhepat, ndërsa gjenerali Haftar dhe Putini i fërkojnë duart. Pasojat vdekjeprurëse të kësaj vjedhjeje sistematike u demonstruan shumë qartë nga shembja e Digës së Dernës në vitin e kaluar, si dhe me humbjen e pesë mijë njerëzve të pafajshëm.

Nëse ky korrupsion i naftës nuk përballet drejtpërdrejt, Libia do të vazhdojë rrugën e shkatërrimit. Kuptohet, qeveritë perëndimore janë të shpërqendruara nga zhvillimet në vendet si Libia nga Ukraina dhe nga prioritetet e menjëhershme të brendshme. Megjithatë, rreziku është i qartë. Despotët dhe diktatorët do ta gjejnë rrugën e vet drejt pushtetit, nëpër kontinentet strategjike si Afrika, duke i kërkuar nga tiranët vrastar si Putini garancitë për sundimin e tyre shtypës – në këmbim të qasjes në burimet natyrore, të teknikave për shmangien e sanksioneve dhe mundësive për të ngacmuar Perëndimin.

Qeveria e re britanike nuk duhet të lejojë që kjo të ndodhë. Duhet të pranojmë se lojërat gjeopolitike të Putinit shtrihen shumë më larg se Ukraina. Në Libi, për shembull, lufta kundër korrupsionit të naftës duhet të jetë prioritet përpara se të shuhet secila shpresë për demokracinë. Përndryshe, gjenerali Haftar do të pozicionohet si krahu i djathtë i Putinit në Afrikë, duke e përdorur Libinë si platformë për Rusinë për të fituar kontroll mbi pjesët kryesore të Mesdheut dhe për ta zhvendosur konfliktin e zgjatur mbi Ukrainën në fushëbetejat e reja të Jugut Global. /Telegrafi/

 

Exit mobile version