Emri i Manuel Locatellit ka qenë shumë i përmendur gjatë afatit kalimtar veror.
Pas paraqitjeve fantastike të tij në Kampionatin Evropian me Italinë, Locatelli u bë dëshirë e shumë skuadrave të mëdha evropiane.
Arsenal dhe Tottenham Hotspur e kërkonin me ngulm lojtarit, por ai në fund u bashkua me Juventusin.
Drejtori i Sassuolos, Giovanni Carnevali ka konfirmuar se Manuel Locatelli ka refuzuar transferimin në Arsenal vetëm e vetëm që të bashkohej me Zonjën e Vjetër.
“Arsenali na ofroi 40 milionë euro, por dëshira e Locatellit ishte të shkonte vetëm te Juventusi dhe ne bëmë gjithçka për ta kënaqur atë”, deklaroi Carnevali.
Juve fitoi garën për mesfushorin italian, pasi e mori atë në huazim për dy vite me detyrim blerje për një shumë prej 37,5 milionë euro.
Njësoj si me transferimin e Locatellit, Juventus kishte vepruar edhe me Federico Chiesan. /Telegrafi/