Real Madridi ka në radhët e veta një ekip mjaft cilësor, kështu që ka shumë skuadra që përpiqen të nënshkruajnë me lojtarë nga gjiganti spanjoll. Problemi i vetëm për ta është se futbollistët e ‘Los Blancos’ janë të vetëdijshem se largimi nga ‘Santiago Bernabeu’ do të thotë një hap prapa në karrierën e tyre sportive.
Siç raportohet nga mediumi italian TuttoMercato, Liverpooli ka shprehur gatishmërinë që të paguajë 150 milionë euro për shërbimet e Fede Valverdes.
Kjo nuk është hera e parë që një klub nga Liga Premier ka tentuar të bëjë një ofertë për uruguaianin, pasi edhe më herët është raportuar se Man United ka shprehur interesim për transferimin e tij.
Sidoqoftë, në zyret e klubit janë të qartë dhe të bindur se Valverde nuk do të shitet për asnjë çmim. Valverde është pjesë e pazëvendësueshme në skuadrën e Carlo Ancelottit dhe përveç në rast kur ai shpreh dëshirën për largim, përndryshe do të vazhdojë të vesh fanellën e bardhë edhe për vitet në vazhdim.
Për fatin e mirë të tifozëve të Real Madridit, Florentino Perez ka bërë një menaxhim të shkëlqyer sa i përket anës financiare, kështu që klubi është në pozicion të favorshëm për të refuzuar oferta të tilla.
Më datë 2 tetor të vitit të kaluar, Valverde theksoi në një konferencë për shtyp se do të donte ta mbante shiritin e kapitenit në krah.
“Do të doja të isha kapiten i Real Madridit një ditë. Unë kam qenë kapiten me Uruguain dhe kjo do të ishte një ëndërr për mua”, kishte thënë Valverde./Telegrafi/