Liverpooli ka marrë një lajm të keq para ndeshjes me Arsenalin këtë vikend, duel ky që shihet si shumë i rëndësishëm duke marrë parasysh luftën e ashpër për titull në Ligën Premier.
Të besuarit e Jurgen Klopp do të udhëtojnë në “Emirates” të dielën, në atë që pritet të garantojë një spektakël për tifozët.
Në ndeshjen e parë të luajtur mes këtyre dy ekipeve nuk pati fitues, me ndeshjen e cila u luajt në “Anfield” dhe përfundoi me rezultat 1-1.
Momentalisht Liverpooli janë lider i elitës së futbollit anglez me pesë pikë më shumë se “Topçinjtë” dhe është kjo pra situata në tabelë, ajo që e bën këtë ndeshje më emocionuese.
Sidoqoftë, para këtij dueli Liverpooli ka marrë një lajm shumë të keq pasi ata nuk do të jenë në gjendje të llogarisin në shërbimet e yllit të tyre Mohamed Salah.
Salah është përjashtuar për duelin ndaj Arsenalit pasi është duke vazhduar me procesin e rikuperimit nga lëndimi që ka pësuar në grumbullim me Egjiptin në Kupën e Kombeve të Afrikës.
Pasi Egjipti u eliminua nga ky kompeticion pas humbjes nga DR Congo gjatë kësaj jave, Klopp tha se ekipi i tij do ta vuajë mungesën e Salahut për dy ndeshjet e ardhshme.
“Nuk pati presion mbi të pasi ne duam që ai të rikthehet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Ne nuk jemi me nxitim. Në rast se përshpejtoni procesin e rikuperimit, Thiago nuk do të ishte jashtë fushave për 10 muaj”, ka thënë Klopp para ndeshjes me Chelsean.
“Mo nuk është i gatshëm. Është jashtë për këtë ndeshje, jashtë për tjetrën gjithashtu. Situata mund të ishte më e rëndë, por ai nuk është në dispozicion për momentin”, përfundoi gjermani./Telegrafi/