Dorëzohet Liverpooli. Philipe Coutinho merr rrugën e Barcelonës. Përpara dëshirës së futbollistit dhe milionave që vinë nga Spanja, Jurgen Klopp nuk mund të bëjë dot asgjë edhe pse trajneri gjerman kërkon me ngulm të evitojë largimin e yllit brazilian.
Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Philippe Coutinhos dhe gjasat janë që 25-vjeçari të firmosë me Barçën. U largua një brazilian, por vendin e tij te Blaugranat pritet ta marrë një tjetër lojtar nga vendi i Sambas.
Mediat që qëndrojnë pranë Barcelonës bëjnë me dije se Liverpooli ka dhënë tashmë ‘OK-in’ për kalimin e Coutinhos te katalanasit, përcjell SS.
Shifra që Barcelona pritet të derdhë në arkat e klubit të kuq për kartonin e brazilianit do të jetë më e lartë se 100 milionë Euro.
Për Liverpoolin do të jetë plus-valencë e jashtëzakonshme sepse në 2012 Reds shpenzuan vetëm 11 milionë Euro për të blerë kartonin e Coutinhos nga Interi.
Barcelona ka 222 milionë Euro për të shpenzuar në afatin kalimtar pikërisht shifrën që përfitoi nga kalimi i Neymar te Paris Saint Germain dhe përveç Coutinhos kërkon edhe talentin e Dortmundit Dembele por edhe një mesfushor qendre ku prioritet mbetet Marco Verrati.