Site icon Telegrafi

Live në TikTok, u fut me forcë brenda bankës në Korçë, policia arreston 38-vjeçarin

Policia e Korçës ka arrestuar autorin e dyshuar se dy ditë më parë ka thyer me forcë derën e hyrjes kryesore të një banke të nivelit të dytë në qendër të qytetit të Korçës, teksa ka qenë live në Tik Tok.

Sipas Policisë, 38 vjeçari Valter Xhelillari është arrestuar mbrëmjen e djeshme në banesën e tij në lagjen numër 6 të qytetit, pas 24 orësh intensive kërkimi.

Në momentin e arrestimit, ai i ka bërë me dije policisë se nuk mbante mend asgjë se çfarë ka ndodhur ditën e ngjarjes pasi ka qenë nën efektin e alkoolit.

Fillimisht policia e Korçës është përqëndruar në kontrollet e saj në lagjen 3, aty ku ka pasur informacion se mund të ishte strehuar, por vetëm mbrëmë 38 vjeçari është kthyer në banesë ku dhe është arrestuar më pas nga forcat e policisë të cilat prej 3 ditësh e kishin në vëzhgim banesën e 38 vjeçarit Valter Xhelillari.

Njoftimi i Policisë:

Korçë-Policia e Korçës identifikon, kap dhe vë në pranga shtetasin që hyri me forcë në ambientet e një banke të nivelit të dytë në Korçë.

Pas kontrolleve intensive që zgjatën 24 orë, Policia e Korçës bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e 38-vjeçarit.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 21 dhjetor, në lagjen nr.3, Korçë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, ushtruan kontrolle të pandërprera për kapjen e autorit.

Pas identifikimit të autorit të dyshuar, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Policisë lokalizuan në lagjen nr.6 në Korçë dhe vunë në pranga shtetasin V. Xh., 38 vjeç, banues në Korçë.

Më datë 21.12.2024, rreth orës 22:05, 38-vjeçari ka hyrë me forcë në ambientet e një banke të nivelit të dytë, ku ka qëndruar për disa sekonda dhe është larguar menjëherë sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, pa marrë asgjë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

Exit mobile version