Site icon Telegrafi

Lituania njofton paketën e ndihmës prej 200 milionë eurosh për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës ka nisur turneun e tij në vendet baltike me një udhëtim në Lituani, ku ai kërkoi mbështetje për konfliktin e vazhdueshëm me Rusinë.

“Ukraina i ka treguar botës se ushtria e Rusisë mund të ndalet”, tha presidenti Volodymyr Zelensky të mërkurën teksa filloi një vizitë në vendet baltike në kërkim të ndihmës së mëtejme për vendin e tij.

Duke folur në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, Zelensky tha se Ukraina ende duhet të forcojë mbrojtjen e saj ajrore kundër sulmeve të intensifikuara të raketave dhe dronëve të Rusisë dhe të plotësojë furnizimet e saj me municione, pasi sulmet me rreze të gjatë bëhen tipari kryesor i luftimeve të këtij dimri.

Dhe qeveria lituaneze ka konfirmuar një paketë ndihme prej 200 milionë eurosh për Ukrainën.

“Në Këshillin e Mbrojtjes të Lituanisë, ne miratuam një paketë prej 200 milionë eurosh të ndihmës ushtarake afatgjatë për Ukrainën. Në janar, ne do të dërgojmë përsëri municione, gjeneratorë dhe sisteme shpërthimi në Ukrainë. Dhe në shkurt M577 APC. Ne do të trajnojmë ushtarët ukrainas dhe do të forcojmë bashkëpunimin në industrinë ushtarake”, ka bërë të ditur presidenti lituanez Gitanas Nauseda.

Siç thuhet më tej, Zelensky atje do të diskutojë gjithashtu shpresat e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe ndërtimin e partneriteteve në prodhimin e dronëve dhe kapacitetet e luftës elektronike.

Zelensky paralajmëroi për qëllimet e presidentit rus Putin dhe tha se ai nuk do ta ndalojë luftën duke pretenduar se ka ndërmend të “pushtojë plotësisht” Ukrainën. /Telegrafi/

Exit mobile version