Site icon Telegrafi

Lituania emërton rrugën që çon në ambasadën ruse si “Rruga e heronjve ukrainas”

Në mbështetje të fqinjit të saj, Lituania i ka dhënë ambasadës ruse një “adresë të re” duke e quajtur “Rruga e Heronjve Ukrainas” në kryeqytetin Vilnius në shenjë proteste ndaj pushtimit të Moskës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kryebashkiaku i Vilnius, Remigijus Simasius tha në një deklaratë: “Nga sot, kartëvizita e çdo punonjësi të ambasadës ruse do të dekorohet me një shënim që nderon luftimet e Ukrainës dhe të gjithë do të duhet të mendojnë për mizoritë e regjimit rus kundër ukrainasve paqësor, kur ta shkruajnë emrin e kësaj rruge”.

Lëvizja u njoftua javën e kaluar dhe dje punëtorët vendosën dy targa të reja rrugësh me emrin në gjuhën lituaneze dhe ukrainase.

Shteti tjetër baltik, Letonia, ka përdorur gjithashtu këtë taktikë, me zyrtarë nga kryeqyteti Riga që ranë dakord javën e kaluar të riemërtojnë adresën e ambasadës ruse në “Rruga e Ukrainës së Pavarur”. /Telegrafi/

Exit mobile version