Telegrafi

Lista serbe: Nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës

Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen më 23 prill.

Kjo parti përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre, të cilat kanë bërë që ata të largohen nga institucionet e Kosovës.

“Muaji mars është afati i fundit i aplikimit të partive për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme në komunat në veri të Kosovës. Në atë drejtim shfrytëzojmë rastin të informojmë qytetarët tanë se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, për shkak të kërkesave që kemi bërë dhe nuk janë përmbushur. As nuk do të marrim pjesë në asnjë vendvotim derisa të plotësohen kërkesat tona legjitime”, thuhet në statusin e tyre në Facebook.

Lexo po ashtu Elezi: Nga sot fillojnë afatet për zgjedhjet e 23 prillit në komunat veriore

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur zyrtarisht përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan, si dhe të zgjedhjeve të parakohshme për dy kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Telegrafin se KQZ-ja ka vendosur të gjitha afatet e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve. /Telegrafi/