Lista Serbe nuk do të shkojë në konsultime në takimin e thirrur për të hënën nga presidenti Hashim Thaçi, për caktimin e seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur kryetar i këtij subjekti politik Goran Rakiq, njofton Beta.
“Si kryetar i Listës Serbe jam mirënjohës për ftesën për konsultime për datën e seancës konstituive të Kuvendit, por mund të them se Lista Serbe nuk do të shkojë në atë takim”, ka thënë Rakiq, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, deputetët e Listës Serbe do t’i përgjigjen ftesës për verifikimin e mandateve në harmoni me ligjin.
Rakiq tha se nuk dëshiron që deputetët dhe populli serb të jenë në situatë të vështirë.
Ai tha se, pasi të dihet emri i mandatarit për Kryeministër, do të bëhen konsultime me Beogradin dhe pastaj të marrin vendim për koalicionet e mundshme.
“Ne jemi të gatshëm për bisedime, sepse dialogu nuk ka alternativë, por jemi të gatshëm për të kryqëzuar heshtat politike për të vazhduar politikën e paqes, të cilën e ka filluar presidenti Aleksandar Vuçiq. Neve nuk na interesojnë funksionet dhe numri i posteve ministrore, por që serbët të kenë jetë më të mirë në Kosovë”, shtoi Goran Rakiq.
Presidenti Hashim Thaçi, ka thirrur në takim të gjithë liderët e partive politike për ta diskutuar datën e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, por deri më tani vetëm partitë e Koalicionit PAN, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim. /Telegrafi/