Telegrafi

Lista Serbe merr bekimin e Beogradit për të hyrë në Qeverinë Haradinaj

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe, se atyre u është dhënë mbështetja e Presidentit të Serbisë, Qeverisë dhe institucioneve, në luftën për mbijetesën e popullit në Kosovë dhe se do të mbështesin vendimin e tyre për të hyrë në qeverinë e kryesuar nga Ramush Haradinaj.

“Mbështesim përfaqësuesit serbë për çdo vendim që marrin, pasi që do të jenë ata që do të jetojnë në rrethana, të cilat të gjithë e dimë si janë”, tha Gjuriq në Qeverinë e Serbisë.

Ndërkaq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha  se ky subjekt politik do të merr vetëm vendime që janë në të mirë të popullit serb në Kosovë, “pa i kushtuar vëmendje se çka thonë ata që kurrë nuk kanë qenë në Kosovë”, raportojnë media serbe.

“Nga fillimi ishte e qartë se ne nuk mund të zgjedhim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve… Për një jetë më të mirë të serbëve do të luftojmë përmes institucioneve të Kosovës dhe përmes foltores së Kuvendit”, tha Rakiq, transmeton Telegrafi.

Siç është thënë në konferencën për media në Beograd, Lista Serbe do të ketë Ministrinë për Kthim, Bujqësi dhe Administratën e Pushtetit Lokal, si dhe gjashtë ndihmës të ministrave.

“Me hyrjen në qeveri do të kemi rastin që të luftojmë për programin e Listës Serbe”, tha kandidati për ministër Nenad Rikalo. /Telegrafi/