Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të veprojnë në mënyrë urgjente për të parandaluar, siç tha ky subjekt, lëvizjet e reja të njëanshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Një delegacion i kësaj partie, në krye me kryetarin Zllatan Ellek, kanë zhvilluar më 31 gusht takime me zëvendëskomandantin e KFOR-it, ambasadorët e QUINT-it dhe me shefen e UNMIK-ut.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan nevojën për veprim urgjent nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, kthimin në gjendjen e mëparshme dhe parandalimin e lëvizjeve të reja të njëanshme të drejtuara nga Albin Kurti për dëbimin e serbëve nga Kosova”, tha Lista Serbe përmes një njoftimi për media.
Kjo parti tha se ka kërkuar prani më të madhe të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në pjesën veriore të shtetit.
QUINT – Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Gjermania – sipas Listës Serbe, kanë përsëritur qëndrimin se nuk mbështesin veprimet e ndjeshme të autoriteteve të Kosovës, pasi ato mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës./REL