Site icon Telegrafi

Lirimi i tre policëve, shpallja e dy organizatave serbe “terroriste” dhe diplomimi i 15 kadetëve të FSK-së – top lajmet e javës

Java që lamë pas filloi me lirimin e tre policëve të Kosovës, të cilët ishin arrestuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, më 14 qershor.

Po ashtu gjatë javës që po lëmë pas Qeveria e Kosovës në një mbledhje të saj i shpalli organizata terroriste dy formacione që veprojnë në veri të vendit “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e veriut”.

Ndërkaq, të premten në një ceremoni në kazermën “Adem Jashari” diplomuan 15 kadetë të FSK-së.

Lirimi i tre policëve të Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, tre policët që u liruan më 26 qershor nga paraburgimi në Serbi, pasi më 14 qershor ishin rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Ata kanë arritur në Kosovë rreth orës 14:00 të së hënës, ndërkaq vendimi për lirimin e tyre është marr nga Gjykata në Kralevë.

Pas lirimit të tyre, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kidnapimi i tyre konsiston në shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

“Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer tashmë janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky kidnapim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Shqipëria kishin kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve.

Shpallen terroriste organizatat serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes i ka shpallur terroriste organizatat serbe “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada), të cilat veprojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Në mbledhjen e Qeverisë u tha se dy organizata paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë.

“Bazuar në vlerësimin e institucioneve të sigurisë, këto formacione ilegale paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë. Për këtë e nisur nga fakti se kërcënimi ndaj rendit juridik e kushtetues ndaj vendit tonë është i pakompromis e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pa dallim, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ shpallen organizata terroriste”, ishte shprehur kryeministri Albin Kurti.

Lexo po ashtu SHBA: Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, vendim i pakoordinuar

Ky propozim i Qeverisë është kundërshtuar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili kërkoi nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që ta rishqyrtojë propozimin, e të mos “merren vendime të ngutshme”.

“Disa propozime janë të ngutura dhe mendoj se duhet të ecim me shumë kujdes. Me respekt ndaj jush ministër, ju jeni punëtor. Ju lus që nëse ka mundësi sërish të mendoni që edhe një herë të shohim këtë propozim dhe vendim, sepse frikësohem se do të ndahemi nga bashkëbiseduesit tanë në veri. Qasja e tillë do të na largoj shumë”, ishte shprehur Rashiq.

Por, sipas Sveçlës shpallja e këtyre organizatave si terroriste është kruciale për qytetarët. Ai gjithashtu tha se ky vendim nuk i prek pjesëtarët e këtyre dy organizatave që janë integruar më herët.

“Ky vendim nuk prek askënd i cili deri në momentin e shpalljes së organizatave terroriste ka qenë pjesë e këtyre organizatave e nuk ka kryer vepra penale tashmë. Pra, nuk vihen në rrezik pjesëtarët e këtyre organizatave që janë integruar më herët”, deklaroi ministri.   

Diplomimi i 15 kadetëve të FSK-së

Të premten është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës 2023 të 15 kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën “Adem Jashari”.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se 15 oficerë të rinj u shtuan në radhët e FSK-së, për t’i shërbyer me vullnet e përkushtim atdheut ashtu siç heronjtë tanë para nesh bën, rrugëtimi i të cilëve është e kaluara jonë e lavdishme dhe udhërrëfyesi i të ardhmes tonë të ndritur që na pret.

“Me bindjen e plotë se kadetët janë formësuar si udhëheqës me karakter të fortë, të gatshëm për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në vend, sigurinë përtej kufijve tanë shtetëror si pjesë e stërvitjeve e operacioneve ndërkombëtare kudo dhe kurdo që të jetë e nevojshme, përkrah partnerëve tanë strategjik dhe shteteve që mbrojnë vlerat demokratike, them se Republika jonë është në duart e sigurta të grave dhe burrave më trima e ekselent të Forcës së pazëvendësueshme të këtij vendit”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version