Telegrafi

Liridon Krasniqi mund të luajë në Kosovë: Interesime nga shumë klube, por Gjilani i ka bërë ofertë zyrtare

Liridon Krasniqi është një nga futbollistët kosovarë që ka lënë gjurmë me karrierën e tij të deritanishme në Evropë dhe Azi.

I lindur në Viti, Krasniqi ka emigruar me familjen e tij në Gjermani ku edhe ka nisur karrierën si futbollist, duke kaluar fillimisht te grupmoshat e Nurenberg pastaj duke provuar aventurën në futbollin çek te Slavia Praga e Mlada Boleslav.

Ai luajti edhe në Turqi për Ankaraspor, Fethiyespor e Osmanlisopr, para se në vitin 2015 të transferohet në Maljzinë e largët ku ka lënë gjurmë.

Kedah FA, Melaka, Johor DT e Terengganu kanë qenë skuadrat e Krasniqit në Malajzi, derisa ai ka provuar edhe futbollin e Austrlisë te Newcastle Jets, atë të Indisë te Odisha FC dhe në Tajlandë për Khon Kaen United.

Në moshën 32-vjeçare Krasniqi pritet të luaj në Kosovë ose Shqipëri, pasi shumë skuadra janë vënë pas tij.

Telegrafi merr vesh ekskluzivisht se SC Gjilani është skuadra që është në përparësi për t’i siguruar shërbimet e tij, pasi tanimë i kanë bërë ofertë zyrtare Krasniqit i cili po e shqyrton atë.

Përveç Gjilanit që i kanë bërë ofertë zyrtare Krasniqit, ka edhe disa skuadra nga Kosova, por edhe nga kampionati shqiptar që kanë shprehur interesim për ta pasur mesfushorin ofensivë në radhët e veta.

Gjithnjë sipas burimeve të Telegrafit të afërta me lojtarin, ai po e konsideron seriozisht të luaj në Kosovë ose Shqipëri për pjesën e mbetur të këtij sezoni.

Krasniqi ka qenë reprezentues i Shqipërisë U21, i Përfaqësueses së Kosovës, por edhe i Përfaqësueses së Malajzisë ku nga viti 2021 luan për ekipin kombëtar aziatik.

Se cila skuadër do ta marrë atë mbetet të shihet në ditët e fundit të afatit kalimtar të janarit, megjithatë do të jetë një goditje e madhe pasi Krasniqi është një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme dhe sigurisht që nënshkrimi me të do t’i bënte marketing të madh skuadrave kosovare apo shqiptare në Botë pasi Liridoni është një futbollist me ndikim të madh sidomos në kontinentin aziatik ku edhe në rrjetin social Instagram numëron mbi 1 milionë ndjekës. /Telegrafi/