Site icon Telegrafi

“Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar”, Osmani bëri homazhe në ceremoninë lamtumirës për Kadarenë

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë sot homazhe te arkivoli i të ndjerit, Ismail Kadare, në ceremoninë shtetërore të Lamtumirës që u mbajt në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Osmani ka shkruar se “me zemër të rënduar i thamë lamtumirë penës së shquar dhe kolosit të papërsëritshëm, fjalët e të cilit kapërcyen kufijtë, kulturat dhe kohën”.

Lexo po ashtu “Pikëllimi është i thellë sepse admirimi është i lartë”, Kurti shkroi në Librin e Zisë për Kadarenë  

Tutje ajo tha se  për dekada të tëra, veprat e Ismail Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor.

“Aftësia e tij për të gërshetuar historinë, mitet dhe realitetin, e bëri zërin e tij një nga më të veçantët dhe më të fuqishmit në letërsinë bashkëkohore. Prandaj, jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la.

Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën.

Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/

Exit mobile version