Nga: Kate Maltby / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Muajin e kaluar, Teatri “Royal Exchange” i Mançesterit anuloi shfaqjen e Ëndrra e një nate vere. Provat kishin filluar dhe prova gjenerale, e vonuar për shkak të disa lëndimeve, ishte gati.
Regjisorja e shfaqjes, Stef O’Driscoll, bëri një deklaratë publike. Vizioni i saj për botën magjike të Shekspirit ishte ndërtuar mbi skenën muzikore të ritmit dhe basit [drum’n’bass] në Mançester, por “Royal Exchange” e anuloi shfaqjen pasi ajo përfshinte një pjesë repi, interpretuar nga një “transgjinor me vetëdije politike”, që përmbante frazat “liri për Palestinën” dhe “të drejtat e transgjinorëve”. Pikërisht përmendja e Palestinës ishte pika e kundërshtimit. Sipas O’Driscollit, teatri e kishte censuruar atë në një akt që, sipas saj, “nuk ishte një rast i izoluar, por pasqyrë e një prirjeje në rritje të censurës dhe vendimeve të nxitura nga frika në art”. Komunitetet teatrore në internet reaguan. Shoqata “Equity” denoncoi “kulturën në rritje të censurës të krijuar nga financuesit dhe grupet e presionit”. Megjithatë, disa anëtarë të stafit më treguan një version më ndryshe. Të gjithë ishin të pajtimi që shfaqja ishte vonuar. Një anëtar i trupës i përshkroi provat teknike si një “kaos”. Me vetëm disa ditë për të përfunduar shfaqjen, O’Driscolli prezantoi jo vetëm repin, por edhe lojëra interaktive për publikun dhe një ushtrim me pyetje-përgjigje që do të ngjallte publikun për të marrë pjesë në thirrjen “liri për Palestinën”.
Mançesteri është jo vetëm qyteti i një prej komuniteteve më të mëdha hebraike në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe i të afërmve britanikë të pengjeve izraelite hebraike të marra nga Hamasi më 7 tetor. Periudha e shfaqjes përkonte me përvjetorin e parë të asaj ngjarjeje – humbja më e madhe e jetës së hebrenjve që nga viti 1945. Teatri, përballë shqetësimit se anëtarët hebraikë të audiencës mund të ndiheshin të fyer nga thirrjet “liri për Palestinën”, i kërkoi O’Driscollit të hiqte pjesën e repit. Ajo refuzoi.
Megjithatë, komuniteti teatror tregoi simpati për O’Driscollin dhe historia e saj për censurën pati një jehonë të fortë. Shumëkush kishte rrëfimet e tyre për zërat palestinezë që raportohet se janë censuruar. Për shembull, në teatrin “Chickenshed”, një shfaqje e shkurtër e quajtur Biseda me babain tim u hoq në mënyrë misterioze nga programi në një festival të ri të autorëve, me përfaqësues të shtypit që udhëzuan kritikët të hiqnin cekjen e tekstit nga raportimet e tyre të mëhershme. Teatri “Barbican” u akuzua për censurë pasi nuk pranoi organizimin e një bisede me titullin Shoah pas Gazës – qendra e artit pretendoi se ngjarja ishte shpallur gabimisht.
Tani ka kaluar një vit qëkur konflikti u kthye në Gazë dhe në Izraelin jugor. Skena teatrale britanike, me fuqinë e saj të jashtëzakonshme, është ngatërruar në përpjekjet për të vendosur se kë duhet dhe kë nuk duhet të vë në skenë. Si nënkryetare e Indeksit të Censurës [Index on Censorship] dhe kryetare në largim e Qarkut të Kritikëve [Critics’ Circle], kam dëgjuar më shumë ankesa se kurrë më parë për censurën në artet në Britani.
Megjithatë, shumë nga këto reagime kanë qenë për zërat hebraikë që janë censuruar. Jo zërat izraelitë, por ata hebraikë. Teatrot kanë shtyrë shfaqjet e planifikuara më parë për Holokaustin, me arsyetimin se ato mund të paraqesin një kërcënim sigurie. Një komedi e stendapit për ushqimin hallall hebraik [kosher], u tërhoq sepse momenti nuk ishte i përshtatshëm “në shkallë globale”. Ekipi prapa shfaqjes Fyelltari në çati, që u luajt në Parkun Regjent këtë verë, pranoi se po shqyrtonte mundësinë e tërheqjes së shfaqjes pas datës 7 tetor. Për këto histori nuk ka pasur reagime të forta nga aktivistët e teatrit.
Këtë javë, Patrick Marber do të japë shfaqjen e tij të re, një bashkëpunim me shkrimtarin Nathan Englander, Çfarë flasim kur flasim për Ana Frankun, në teatrin pak të njohur “Marylebone”, një vendndodhje e pazakontë për një krijues të shquar teatri. Teatri kryesor, të cilit ai ia kishte ofruar shfaqjen, i kishte thënë se bordi ishte i shqetësuar se mund të nxiste protesta. Marberi më tha se e kishte rishkruar shfaqjen për të pasqyruar jetën hebraike pas 7 tetorit. “A nuk është teatri vendi ku flasim për gjëra që janë të vështira, të komplikuara dhe të ndërlikuara?” – pyeti ai. Po, ishte përgjigja, “por bordi nuk dëshiron që të debatohet në këtë vendndodhje të veçantë dhe në këtë kohë të veçantë”.
Çfarëdo që të ketë ndodhur në Mançester, përvoja e O’Driscollit ka diçka të përbashkët me atë të Marberit. Në teatrot e mëdha, vendimet për menaxhimin e rrezikut merren nga bordet dhe drejtuesit, jo nga artistët. Pas pandemisë, fondet e teatrove janë bosh, kështu që oreksi për rrezik është në një nivel të ulët rekord.
Deri në gusht, Teatri “Royal Exchange” i Mançesterit drejtohej nga një “drejtor ekzekutiv” i përkohshëm, pasi drejtorët artistikë, Roy Alexander Weise dhe Bryony Shanahan, u larguan në vitin 2023 pas anulimit kaotik të një shfaqjeje tjetër – Kadifeja e kuqe, një shfaqje krejtësisht pa reagime. Teatri kishte marrë kredi dhe grante emergjente për koronavirusin në vlerë prej 2.85 milionë funtave [3.4 milionë euro], në tetor të vitit 2020, pjesa më e madhe e të cilave duhej të kthehej.
Shfaqjet me tema hebraike apo arabe janë gjithashtu viktima të një kodi të ri në botën teatrale: personazhet nga një minoritet duhet të luhen nga anëtarë të atij minoriteti. Dy nga shfaqjet më të mira të fundit në Londër, Fyelltari në çati dhe Këtu në Amerikë në teatrin “Orange Tree”, kanë përdorur yje të sjellë nga Izraeli dhe Amerika, respektivisht. Në anën tjetër, aktorët britanikë me prejardhje arabe janë të përfshirë në debate të ashpra se cilat grupe arabe duhet t’ia japin zërin personazheve palestinezë. A është ky një përparim, apo thjesht një mënyrë për të shtuar më shumë pengesa në rrëfimin e këtyre historive?
Këtu në Amerikë shqyrton miqësinë e dramaturgut Arthur Miller me Elia Kazanin, regjisorin e filmave që u përjashtua nga Holivudi pasi denoncoi kolegët si komunistë. Forca e shfaqjes qëndron te përshkrimi i saj i kujdesshëm i së djathtës dhe së majtës, ku të dyja përpiqeshin të përjashtonin njëra-tjetrën – që në vitet ’50 të shekullit XX. Por, kjo ndjenjë e grupeve rivale të gatshme për të denoncuar njëra-tjetrën qëndron edhe pas frikës aktuale të teatrove për të trajtuar çdo gjë që lidhet me Izraelin, Palestinën, myslimanët apo hebrenjtë.
Shoqata Equity, e cila mbështeti O’Driscollin kundër “censurës”, dënoi një produksion të Rikardit III sepse aktori kryesor nuk ishte dukshëm me aftësi të kufizuara. Ajo fitoi mbështetje nga lëvizja palestineze “Bojkot, shkarkim dhe sanksionim” [Boycott, Divestment and Sanctions] – e cila në disa raste ka protestuar kundër lejimit të artistëve izraelitë të performojnë në festivalet teatrore të Edinburgut.
Shoqata “Equity”, e cila mbështeti O’Driscollin kundër “censurës”, dënoi një produksion të Rikardit III sepse aktori kryesor nuk ishte dukshëm me aftësi të kufizuara. Ajo fitoi mbështetje nga lëvizja palestineze Boycott, Divestment and Sanctions (BDS) – e cila në disa raste ka protestuar kundër lejimit të artistëve izraelitë të performojnë në festivalet teatrore të Edinburgut.
Ndërkohë, grupet pro-izraelite në Mbretërinë e Bashkuar po marrin frymëzim nga Amerika, ku një lob i organizuar ka kohë që punon për të ndaluar vepra si Vdekja e Klinghoferit apo Emri im është Rejçël Kori. Të gjitha këto grupe duhet të reflektojnë se sa absolut është përkushtimi i tyre ndaj lirisë së shprehjes.
Nuk është gjithçka errët. Teatri “Royal Court”, i cili më parë ka dështuar në këtë çështje, ka pasur sukses me shfaqjen e Mark Rosenblattit, Gjiganti, që eksploron me zgjuarsi vijën midis antisionizmit dhe antisemitizmit përmes personazhit të Roald Dahlit. Është një martesë mes artit dhe guximit, por iu deshën gjashtë vite për t’u zhvilluar. Pikat kyçe të luftërave kulturore shpërthejnë në teatrot që tashmë kanë pak financim, që janë të tendosura dhe në pikën e thyerjes. Për të bërë këto biseda në mënyrë të drejtë, teatri nuk ka nevojë vetëm për “lirinë e fjalës”, por për financim, kujdes dhe siguri për të marrë përsipër rreziqet. /Telegrafi/