Telegrafi

Liqenati i Rugovës, parajsa e Bjeshkëve të Nemuna – vendi ideal për ata që duan ta kombinojnë natyrën dhe notin

Në Rugovë, në një lartësi mbidetare prej 1,970 metrave, i rrethuar nga kodrat e larta dhe shkëmbinj të shumtë, gjendet Liqenati i Madh (Liqeni i Kuqishtës), bukuria e të cilit është magjepsëse. Megjithëse mungesa e përvojës apo e informacioneve mund t’ju bëjë të ngurroni ta vizitoni këtë vend, faktikisht Liqenati është një vend që gjithsecili që posedon veturë, kondicion dhe dashuri për natyrën shumë lehtë mund ta vizitojë.

Kosova është e mbushur me bukuri natyrore dhe atraksione turistike që ju mahnitin me pamjet përrallore, e një vend i tillë pra është edhe Liqenati, shkruan Telegrafi.

Ngjitja në malet e Rugovës për të shkuar në Liqenat është një eksperiencë e paharrueshme.

Si shkohet te Liqenati i Madh (Liqeni i Kuqishtës)? 

Për të shkuar aty, fillimisht duhet që me veturë të shkoni deri te restoranti “Guri i Kuq”, ku mund ta parkoni veturën dhe nga aty fillon shtegu për te Liqenati.

Shtegu është i lehtë për t’u gjetur dhe gjatë tërë rrugës ka shenja nëpër drunj të cilat tregojnë se cilën rrugë duhet ta ndiqni.

Përveç shenjave, gjatë tërë shtegut ju do të mahniteni me bukuritë e maleve të Rugovës, gjelbërimi i gjithanshëm, mund të shijoni dredhëza të egra dhe të përshëndeteni me të panjohurit që i takoni në të njëjtin shteg.

Lodhjen, e cila do t’ju shkaktohet si pasojë e ecjes në terren me vështirësi mesatare, do ta harroni pas thuajse 1 ore e 30 minutave kur të arrini te Liqenati i Madh apo Liqeni i Kuqishtës. Në momentet e para që shikimi juaj do të takohet me pamjen e këtij liqeni, do t’ju pushtojë një dashuri e madhe për natyrën.

 

Nga larg, pamja e këtij liqeni është jashtëzakonisht e bukur sepse zakonisht nuk ka turma të njerëzve, andaj ju mund ta shijoni tërë magjinë e tij në një qetësi malore.

Nga afër, uji i pastër e i freskët do t’ju bëjë për vete dhe vështirë se do të rezistoni pa u futur në të për të “notuar në mal”.

Në të gjitha anët keni hapësirë për t’u ulur dhe për të pushuar, për ta ngrënë ushqimin që e keni përgatitur paraprakisht dhe herë pas here pra mund të freskoheni me not në ujin e kthjelltë të këtij liqeni.

Si shkohet te Liqenati i Vogël (Liqeni i Drelajve)?

Nëse nuk jeni lodhur shumë dhe dëshironi ta shijoni edhe më shumë bukurinë e Liqenatit, ju mund ta vazhdoni ecjen edhe për te Liqenati i Vogël apo që ndryshe njihet si Liqeni i Drelajve.

Për të shkuar te Liqenati i Vogël, ju duhet ndiqni shtegun dhe të ecni edhe për 20 minuta tjerë.

Nëse veç keni mbetur pa ujë, atëherë rrugës për te ky liqen ju do ta gjeni një burim natyral të ujit, i cili është aq i ftohtë saqë nuk mund ta mbani dorën në të për më shumë se 20 sekonda.

Menjëherë pas burimit të ujit gjendet Liqenati i Vogël, pamja e të cilit është piktoreske.

Ky liqen malor shtrihet në një lartësi mbidetare prej 1811 metrave dhe ndodhet në zonën kufitare malore të Bjeshkëve të Nemuna, jo larg kufirit me Malin e Zi.

Liqenati i Vogël karakterizohet me gurë të shumtë dhe ujë të akullt, por është edhe vend ideal për t’u relaksuar.

Të gjithë ata që duan ta kombinojnë natyrën dhe notin, padyshim se duhet ta vizitojnë Liqenatin dhe të mahniten nga bukuritë që i ka Kosova. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Ujëvarat e Mirushës, mrekulli natyrore e Kosovës ku mund të freskoheni gjatë kësaj vere (Foto/Video)