Site icon Telegrafi

Ligjvënësi republikan bllokon përkohësisht paketën e ndihmës për Ukrainën

Një paketë ndihme shumë miliarda dollarësh për Ukrainën nga qeveria amerikane nuk do të jetë gati të paktën deri në javën e ardhshme.

Presidenti amerikan, Joe Biden i kishte kërkuar Kongresit që ta votonte projektligjin 39.8 miliardë dollarësh që parasheh ndihmë ekonomike, humanitare dhe të sigurisë për shtetin ukrainas.

Udhëheqja e Kongresit kishte rënë dakord ta bënte këtë dhe projektligji, i cili është gati shtatë miliardë dollarë më i madh se sa kërkoi presidenti muajin e kaluar, u vendos të votohej me procedura të shpejta, raporton bbc.

Por, ligjvënësi republikan Rand Paul kundërshtoi atë që ai e quajti “një dhuratë për Ukrainën” dhe bllokoi votimin e shpejtë, duke argumentuar se paketa ka nevojë për një mbikëqyrës gjatë dislokimit të fondeve.

Paul, i cili përfaqëson shtetin e Kentucky në Senat, është një kundërshtar i shpeshtë i politikës së jashtme dhe shpesh kundërshton dërgimin e dollarëve për luftërat jashtë vendit.

Lexo po ashtu Biden nënshkruan urdhrin që përshpejton procesin e dërgimit të armëve në Ukrainë

 

“Ne nuk mund ta shpëtojmë Ukrainën duke dënuar ekonominë amerikane”, tha ai përpara votimit.

Projektligji do të shqyrtohet përmes procedurave të rregullta në fillim të javës së ardhshme. /Telegrafi/

Exit mobile version