Sot është datëlindja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai u lind më 2 dhjetor 1944 në Cërcë të Istogut.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist.
Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004. Ai vdiq më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha.
Por, në 77 vjetorin e lindjes së ish presidentit Rugova, atë e kanë kujtuar liderë shtetërorë e udhëheqës të partive politike.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova në ditën e lindjes së tij.
Osmani ka thënë se sot është ditëlindja e ideatorit të Republikës.
“Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë. Ibrahim Rugova, bashkë me shumë burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se si presidente e vendit do të kujdeset maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej.
Osmani më tej shprehet se Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse këtij kolosi të dijes, të kulturës e të politikës.
E ish presidentin Rugova e ka kujtuar edhe lideri aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku në 77 vjetorin e lindjes së Rugovës shkruan se veprat e tij jetësore kanë definuar papërsëritshëm fatin e shqiptarëve.
Kryetari i LDK-së shkruan se Rugova para se të ishte prijës shpirtëror e prijës politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar dhe se refuzimi estetik i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes së kohës, ishte nisje e mendimit të lirë.
“Më 2 dhjetor të vitit 1944, lindi arkitekti i shtetit të Kosovës, prijësi historik i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, Presidenti i parë i vendit tonë, Dr. Ibrahim Rugova. Veprat e tij jetësore kanë definuar papërsëritshëm fatin e shqiptarëve në këto anë. Ato sot qëndrojnë si themele të forta e të palëkundura të lirisë sonë, të pavarësisë sonë, të Republikës sonë…
Rugova para se të ishte prijës shpirtëror e prijës politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar. Refuzimi estetik i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes së kohës, ishte nisje e mendimit të lirë. Ky rrugëtim i tij prej krijuesi u ndërpre nga një thirrje e kohës për t’i prirë lëvizjes më të madhe historike të shqiptarëve në Kosovë. Në vitin 1988 Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Më 23 dhjetor 1989 ai krijoi dhe u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes popullore për liri, pavarësi e demokraci. Krijuesi letrar.
Pjesa tjetër është histori e lavdishme.
Rruga që Ibrahim Rugova nisi e trasoj, trashëgimia politike që la pas, mbesin dritë prijëse për secilin prej nesh në LDK. Këto vlera themeltare për organizmin tonë politik do t’i kultivojmë, ruajmë e promovojmë me plot përkushtim”, shkruan Abdixhiku.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.
Haradinaj thotë të jetë me fat që kishte bashkëpunëtor ish-presidentin Rugova, atëherë kur kishe shumë probleme e tema pakufi.
“Në ditëlindjen e tij, me të drejtë e quaj fat për mua të isha bashkëpunëtor i Presidentit Rugova, saktësisht në vitet e para të lirisë, atëherë kur kishte shumë probleme e tema pakufi. Duke kujtuar idetë, qëndrimet, vendosmërinë por edhe mbështetjen e tij në kohën kur ballafaqohesha me drejtësinë ndërkombëtare, figura e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, mbetet përjetësisht e respektuar”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/