Liderët e opozitës së Ukrainës kanë konfirmuar se kanë zhvilluar diskutime me anëtarë të rrethit të presidentit amerikan, Donald Trump, por kanë mohuar të enjten se ata ishin pjesë e një plani të raportuar të Shtëpisë së Bardhë për të larguar nga pushteti Volodymyr Zelenskyn.
Ish-presidenti Petro Poroshenko tha se “kam zhvilluar bisedime me përfaqësues të SHBA-së”, por shtoi se kundërshtonte kërkesat e Trumpit për zgjedhje gjatë luftës. Poroshenko – i cili humbi kundër Zelenskyt në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 – tha se zgjedhjet duhet të mbahen vetëm pasi të mbaronte gjendja e luftës, shkruan theguardian.
Yulia Tymoshenko – ish-kryeministrja e Ukrainës – tha se edhe ajo kundërshtonte zgjedhjet ndërkohë që lufta vazhdon. Ajo tha se ekipi i saj po “bisedon me të gjithë aleatët tanë që mund të ndihmojnë në sigurimin e një paqeje të drejtë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Gazeta Politico raportoi se diskutimet sekrete kishin ndodhur si pjesë e një përpjekjeje nga Shtëpia e Bardhë për të larguar Zelenskyn nga posti i tij. Sipas raportit, katër anëtarë të lartë të ekipit të Trumpit ishin përfshirë dhe besonin se presidenti i Ukrainës do të humbiste në një votim.
Sipas Kushtetutës së Ukrainës, zgjedhjet pezullohen kur gjendja e luftës është në fuqi. Megjithatë, muajin e kaluar, Donald Trump përsëriti dezinformatat e Kremlinit duke thënë se Zelensky ishte një “diktator pa zgjedhje” që kishte bërë “një punë të tmerrshme” dhe kishte një “mbështetje prej 4 për qind”.
Megjithatë, Zelensky mbetet politikanin më i njohur në Ukrainë. Sulmet e fundit të Trumpit ndaj tij kanë rritur mbështetjen për liderin ukrainas, të cilat janë 44 për qind sipas sondazhit të britanikëve të Survation. Poroshenko, një oligark i zgjedhur në vitin 2014, ka 10 për qind ndërsa Tymoshenko 5.4 për qind mbështetje.
Kandidati i dytë më i njohur është Valerii Zaluzhnyi, ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar, i cili është më shumë se 20 pikë pas Zelenskyt. Ish-kreu i forcave të armatosura të Ukrainë, akuzoi Trumpin të enjten për sabotimin e unitetit perëndimor.
Ndryshe, popullariteti i Zelenskyt ka rënë paksa pas tre vitesh lufte intensive me Rusinë. Megjithatë, shumica e ukrainasve nuk duan zgjedhje në një kohë kur miliona kanë ikur jashtë shtetit, dhe ndërkohë që ushtarët ukrainas po luftojnë dhe vdesin në vijën e frontit. Rusia do të pengonte çdo votim dhe do të bombardonte vendvotimet. /Telegrafi/