Liberalizimin e vizave po e pengojnë dhe çështje të tjera, si krimi i organizuar korrupsioni dhe migrimi legal e jo vetëm mos miratimi i Demarkacionit.
Kështu kanë deklaruar disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, sipas të cilëve, duhet që çështja e demarkacionit të shqyrtohet para se të sillet në Kuvend, pasi që sjellja në Kuvend për miratim, do të kundërshtohet fuqishëm dhe do të jetë një provokim i radhës.
Vjosa Osmani deputete nga LDK-ja, thotë se po flitet që kjo marrëveshje mund të vijë në Kuvend shumë shpejt, por deputetët duhet të jenë të kujdesshëm për votën e tyre. Madje ajo thotë se është e padrejtë që kjo marrëveshje, e cila tash e sa kohë është mbajtur fshehtë Qeveria, të vie në Kuvend vetëm pak ditë para ratifikimit.
“Mendoj që përderisa Qeveria e ka mbajtur fshehtë marrëveshjen për demarkacion, pothuajse që një vit prej 25 gushtit të vitit të kaluar, kur ajo është nënshkruar, është shumë e padrejtë dhe e papërshtatshme, që deputetëve të kuvendit të Kosovës, të iu paraqitet një marrëveshje e tillë, vetëm pak ditë apo pak minuta, para ratifikimit kur dihet që është një materie shumë e komplikuar dhe serioze, që kërkon studim. Po ashtu duke pasur parasysh që ne po flasim për një marrëveshje, që ka të bëjë me territorin e Kosovës, natyrisht që deputete e kuvendit duhet të jenë tepër të kujdesshëm rreth votës së tyre dhe nuk mund ta japin shkel e shko. Prandaj qeveria assesi as parlamenti as kryesia e kuvendit që cakton agjendën, nuk duhet të pranojë që deputetët të vendosen para një akti të kryer, ku atyre u kërkohet që të ratifikohet një marrëveshje, përmbajtjen e sà « cilës nuk e kanë analizuar, për hir të një procesi tjetër. Pavarësisë rëndësisë që e ka liberalizimi i vizave për Kosovën, nuk mund të mohohet dhe rëndësia e vërtetimit që me një marrëveshje të tillë, Kosova nuk po humbet territor”, thotë Osmani.
E fajin për një zvarritje të tillë, Osmani e vë tek Qeveria e Kosovës, e cila sipas saj ka që një vit që e mban Kuvendin në terr informativ. Ndërsa thotë se kanë pasur informata dhe më herët nga deputetët e Parlamentit Evropian, se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën,Gjeorgjinë dhe Ukrainën po shtyhet për shkak se nuk ka vullnet nga disa shtete anëtare, për t’i thënë po liberalizimit të vizave, për shkak të frikës nga migrimi ilegal.
“Po thuhet se arsyeja kryesore qenka demarkacioni. Mirëpo unë besoj që bisedat me zyrtarë të BE-së e qartësojnë se nuk është vetëm çështja e demarkacionit. Kriter tjetër vazhdimisht ka qenë dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit. Por mbi të gjitha tek disa shtete anëtare, ju e dini cilat janë ato, sepse kanë dhënë deklarata publike për mediat ndërkombëtare, është kryesisht frika nga migrimi ilegal”, thotë ajo.
E Nait Hasani, deputet nga PDK beson që deputetët do të jenë të përgjegjshëm dhe nuk do ta votojnë ratifikimin e demarkacionit.
“Besoj që deputetët janë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm në angazhimet e tyre, sidomos në raport me territorin e Kosovës. Unë besoj që ata nuk do ta votojnë”, tha ai.
Sa i përket thirrjes së BE-së për ratifikim të demarkacionit, ai thotë se ky nuk është territor i BE-së dhe se duhet të mbrohet ky territor, për të cilin është luftuar.
“Ne kemi territorin tonë. Nuk e kemi territorin e Bashkimit evropian. Territori jonë është që na kemi luftu dhe e mbrojmë territorin tonë…Besoj që është një çështje më e madhe se sa forca dhe nuk besoj që mund të na imponoj askush me forcë“, thotë Hasani.
Ndërsa Donika Kadaj-Bujupi nga Lëvizja Vetëvendosje ,thotë se Qeveria nuk duhet të provokojë, duke sjellë në Kuvend për ratifikim Demarkacionin pa e rishqyrtuar.
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje kësaj Qeverie, të mos provokojë duke e sjellë demarkacionin pa e rishqyrtuar. Sepse dihet mirëfilli se kjo është dëshmuar me të gjitha provat e paraqitura tani e pothuajse që nëntë muaj, që shënimi i kësaj vije kufitare është i gabuar dhe Kosova po humb rreth 8 mijë hektar tokë. Prandaj në çfarëdo përpjekje për ta legjitimuar një humbje të tillë, ne me të gjitha forcat dhe veprimet tona do të jemi kundër në mënyrë që ta parandalojmë”, thotë Kadaj-Bujupi.
Ndërsa thotë se në rast se kjo imponohet me forcë veçse do të prodhojë probleme të reja, do të shkaktojë trazira dhe asnjëherë nuk do të jetë e pranueshme për qytetarët e Kosovës dhe deputetët. Kadaj shprehet e bindur se edhe po të kalonte demarkacioni, liberalizimi nuk do të ndodhte, pa u luftuar korrupsioni i nivelit të lartë.
“Jam shumë e bindur që edhe po të kalonte demarkacioni, liberalizimi i vizave nuk ndodh pa u luftuar korrupsioni i nivelit të lartë, i cili deri më tani nuk ka pasur as vullnet politik, e as përpjekje për ta bërë”, thotë ajo.