Telegrafi

Liberalizimi i vizave, Kurti: Qytetarët nuk mund të udhëtojnë për punë dhe studime

Nga 1 janari qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Për këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lansuar fushatën informuese për liberalizimin e vizave në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kurti theksoi se pas një procesi të tej zgjatur, qytetarët e Kosovës nga 1 janari mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Megjithatë, ai shtoi se liberalizimi i vizave nuk vlen për shkollim e punësim, apo qëndrim afatgjatë, por sipas tij, vetëm për vizita afatshkurtra familjare.

Lexo po ashtu Fushata informuese për liberalizimin e vizave – shkelja e rregullave mund të penalizojë me ndalim hyrje në zonën Shengen deri në 5 vite

“Liberalizimi edhe pse do të thotë lëvizje e lirë, megjithatë duhet të kemi kujdes sepse përmban rregulla. Duhet të keni pasaportë, mund të udhëtoni vetëm 90 ditë prej 180 ditësh, dëshmi se ku do të qëndroni, mjete të mjaftueshme financiare dhe biletë kthyese”, u shpreh kryeministri.

Ai tha se kjo fushatë vetëdijesuese do të zhvillohet edhe në shumë komuna të vendit, shkruan KP.

“Përgjatë tetorit dhe nëntorit pritet që fushata të zhvillohet në shumë komuna të Kosovës anë e mbanë. Stafi i kryeministrisë tashmë ka mbajtur takime me hisedarë të ndryshëm duke përfshirë edhe komunat e Republikës, komunitetet e vendit dhe Odën e Turizmit për t’ua shpjeguar rregullat lidhur me liberalizimin e vizave. E kemi përjetuar bashkërisht që ky proces ka qenë i tej zgjatur dhe i vonuar për qytetarët e Kosovës”.

“Gjatë vitit që shkoi, kur e kishte Presidencën e Këshillit Evropian, Republika Çeke, ne kemi punuar ngushtë edhe me Presidencën Çeke edhe me Komisionin Evropian për ta kthyer në agjendë të Këshillit të BE-së këtë temë. E kemi arritur të gjithë së bashku nëpërmjet procesit demokratik të vendit tonë, ku në veçanti do të theksoja arritjet në sundimin e ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në menaxhimin e azilit e të migrimit, e tash po i afrohemi ditës ku liberalizimi i vizave do të zbatohet, dhe qytetarët sot të mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen, meqenëse nga 1 janari merr fund regjimi i vizave për Kosovën”, deklaroi Kurti.

Kjo fushatë informuese për liberalizimin e vizave financohet nga Zyra e Kryeministrit dhe GIZ-i Gjerman. Më 18 prill të këtij viti Parlamenti Evropian miratoi vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së nga 1 janari i vitit 2024. Ndërsa një ditë më vonë, më 19 prill është nënshkruar akti ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën.