Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, ka prezantuar gjashtë prioritetet e saj për qeverisjen e re që sipas tyre do të ndodhë pas datës 29 nëntor.
Kjo parti ka akuzuar pushtetin aktual në këtë komunë, e cila sipas VV-së nuk ka bërë sa duhet për qytetarin dhe shëndetin e tij.
“Tashmë mjaftueshëm kemi shpalosur me fakte e argumente korrupsionin, nepotizmin, krimin me tenderë e konkurse në punësimet publike. Po ashtu kemi bërë publike edhe shkatërrimin e shërbimeve e infrastrukturës së ambulantave e shëndetësisë në përgjithësi. Të gjitha këto do të ndryshojnë pas datës 29 nëntor me ç’rast do të largohen këta që për 20 vite e kanë dërrmuar komunën tonë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto janë 6 veprimet që VV thotë se do t’i ketë si prioritet krahas programit të plotë për Podujevën:
1. Ndërhyrja urgjente në Ambulanca dhe në Qendra të Mjekësisë Familjare për furnizim të pandërprerë me barna dhe mjetet laboratorike për të gjitha analizat e nevojshme.
2. Ridestimi i mjeteve nga projektet kapitale (të tjera) për të filluar pa vonesë renovimin e shkollave, veçanërisht laboratorët e munguar.
3. Rishikimi i buxhetit 2021 për të financuar mjetet e mësimit online për nxënësit dhe arsimtarët në kushte të vështira ekonomike.
4. Subvencionimi i bizneseve ku vetpunësohen banorët e Komunës që kanë pësuar nga pandemia (veçanërisht ato të grave).
5. Mbulim i kostos së barnave (terapisë) për familjet me persona të infektuar (të pahospitalizuar).
6. Shtesat për të porsalindurit e Komunës sonë. Financimin do ta bëjmë nga kursimet e shpenzimeve për mallra e shërbime të kabinetit tim si dhe drejtorive.
Zgjedhjet në Komunën e Podujevës do të mbahen ditën e diel./Telegrafi/