Telegrafi

Levits në takim me Kurtin: Letonia e konsideron pavarësinë e Kosovës si të pakthyeshme

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, ka deklaruar se shteti që udhëheqë e konsideron pavarësinë e Kosovës si të pakthyeshme dhe promovon interesat e kësaj të fundit në Bashkimin Evropian.

Këtë deklaratë Levits e ka bërë të premten në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin ndër të tjera thuhet se ka biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve në fusha të ndryshme.

“Presidenti i Letonisë e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore. E përgëzoi për progresin e shënuar ekonomik dhe tha që ky duhet të jetë fokusi i rëndësishëm i Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Presidenti Levits: Letonia e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat tjera ndërkombëtare

“Letonia e konsideron pavarësinë e Kosovës si të pakthyeshme dhe promovon interesat e shtetit tuaj në Bashkimin Evropian, tha Presidenti Levits. Ai ofroi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO”, thuhet tutje.

Po ashtu, bëhet e ditur se Levits ka theksuar vazhdimin e mbështetjes për trajnime e studime të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës në fushën juridike në Riga Laë School.

“Ndërkohë që bëri të ditur financimin e kurseve të studimit dhe trajnimit në Letoni për dy oficerë të lartë të FSK-së”.

Lexo po ashtu Presidenti i Letonisë, Egils Levits pritet me nderime të larta shtetërore

Kryeministri Kurti në anën tjetër bëhet e ditur se ka falënderuar presidentin Levits për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Letonia dhe përkrahjen për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

“Ai tha se si rezultat i bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve është edhe marrëveshja e nënshkruar së fundmi nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, për trajnime dhe operacione të përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë letoneze”.

“Teksa e njoftoi për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik në vitin e parë të qeverisjes, kryeministri Kurti theksoi disa nga indikatorët ekonomikë: rritjen ekonomike për 10.53 për qind, rritjen e eksporteve për mbi 83 për qind krahasuar me vitin 2020, rritjen e investimeve të huaja direkte prej 22 për qind dhe rritjen e investimeve kapitale mbi 10 për qind”.

Në takim Qeveria njofton se është biseduar edhe për situatën e sigurisë në Evropë dhe në rajon, pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë.

“Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, kryeministri Kurti tha se është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO”./Telegrafi/