Site icon Telegrafi

Letra e Agueros pas konfirmimit për largimin e tij: Kam farkëtuar një lidhje të pathyeshme me ata që e duan Cityn

(Foto: Instagram/kunaguero)

Sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero, është duke i zhvilluar muajt e fundit te klubi anglez, nga ku do të largohet në fund të sezonit.

Si Citizens, ashtu edhe lojtari, kanë konfirmuar se kur të mbarojë edicioni 2020/2021, do të përfundojë edhe qëndrimi dhjetëvjeçar i argjentinasit te lideri i Ligës Premier.

“Kur një cikli i vjen fundi, ndjenjat mund të shtohen. Një ndjenjë e madhe e përmbushjes dhe krenarisë qëndron tek unë që e kam pasur mundësinë të luaja për Manchester Cityn për plot dhjetë sezone – e pazakontë për një lojtar në këtë kohë dhe moshë”.

“Dhjetë sezone me arritje të mëdha, përgjatë të cilave kam qenë në gjendje të bëhem golashënuesi më i mirë historik dhe duke farkëtuar një lidhje të pathyeshme me të gjithë ata që e duan këtë klub – njerëzit që gjithmonë do të mbeten në zemrën time”.

Lexo po ashtu Konfirmohet: Aguero largohet nga Manchester City në fund të sezonit

“U bashkova gjatë epokës së rindërtimit në vitin 2011 dhe me udhëheqjen e pronarëve dhe kontributit të shumë lojtarëve, siguruam një vend ndër më të mëdhenjtë në botë”.

“Detyra për ta mbajtur këtë pozitë të shumëmerituar dhe të privilegjuar do t’u mbetet të tjerëve. Sa më përket mua, do të vazhdoj të jap maksimumin tim për pjesën e mbetur të sezonit për të fituar më shumë tituj dhe për t’u sjellë më shumë gëzim tifozëve”.

“Pastaj, një kapitull i ri me sfida të reja do të fillojë dhe jam shumë i përgatitur që të përballem me to, me të njëjtin pasion dhe profesionalizëm, të cilit i jam përkushtuar gjithmonë për të vazhduar të konkurroj në nivelin më të lartë”, ka shkruar Aguero në rrjetet sociale.

Barcelona dhe Paris Saint-Germaini përmenden si destinacionet e mundshme të 32-vjeçarit në afatin kalimtar veror, ku mund të nënshkruajë me parametrat zero. /Telegrafi/

Exit mobile version