Këngëtari i njohur Vedat Ademi, është një prej këngëtarëve më të pëlqyer të zhanrit rock, zhanër të cilin e kultivon tash e disa vite, duke i qëndruar besnik stilit të tij.
Aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe pse larg Shqipërisë vazhdon të jetë i angazhuar me muzikës.
Ai është në përgatitje të një projekti të ri muzikor, një këngë ritmike pranverore e cila do të publikohet edhe me klip.
Në një intervistë për Telegrafin, këngëtari rrëfen për detajet e këtij projekti, i cili beson se do të jetë mjaft i veçantë dhe do të pritet mirë nga publiku.
“Në radhë të parë përshëndes të gjithë lexuesit. Kënga ime e re titullohet “Let me love”, kënga si projekt ka filluar realizmin në fund të vitit që shkoo, d.m.th është punuar ngadalë dhe duke menduar në të njëjtën kohë edhe për idenë e klipit, kënga është verore dhe ka ritëm ‘reggae’ pak a shumë”, tha Vedat Ademi për Telegrafin.
Duke vazhduar më tej bisedën, këngëtari Ademi rrëfen për bashkëpunëtorët e tij në këtë projekt, si dhe zbulon tematikën e këngës, e cila që nga titulli tregon se ka të bëjë me dashurinë.
“Autorët e këngës së re ‘Let me love’ janë Marsel Gunga dhe 2 Step, siç njihet me emrat e tyre artistikë, kurse realizimi i klipit është bërë nga Nik Morina dhe Agron Jashari. Kënga shtjellon një temë dashurie, dedikim dashurisë me pak fjalë…”.
Këto ditë kanë përfunduar edhe xhirimet e klipit, të cilat janë bërë në Florida. Telegrafi ka siguruar disa fotografi ekskluzive nga xhirimet, gjersa i pyetur për klipin, këngëtari 34 vjeçar tregoi se ky vend i ka ofruar shumë mundësi për të realizuar një klip me një prapavijë krejt të re.
“Vetë fakti që klipi është xhiruar në Florida, do të thotë që është i veçantë, sigurisht që vendiatje të jep shumë mundësi xhirimesh me bukuritë e veta që ka, normalisht edhe me ndihmën e miqve të mi që jetojnë atje ishte shumë e lehtë gjithçka, me këtë rast i falënderoj shumë për gjithë shërbimin e ofruar. Mendoj që vij pak më ndryshe se herët e tjera, gjithsesi presim edhe vlerësimin e publikut se si do ta gjykojnë ata”, u shpreh më tej Vedat Ademi.
Përderisa ndodhet në SHBA, aktiviteti i tij muzikor nuk po ndalet! Madje, këngëtari tregon për Telegrafin edhe angazhimet e tij të njëpasnjëshme në koncerte, që sidomos tani me ardhjen e sezonës së verës, do të jenë edhe më të shpeshta.
“Momentalisht jam vendosur në New York, vazhdoj të merrem me krijimtarinë time e sigurisht edhe me koncertet këtej, gjatë verës do jem në Kosovë dhe Shqipëri për të qene afër publikut tim andej, e sigurisht edhe për të prezantuar edhe projektet tjera të radhës që kam”, përfundoi këngëtari mitrovicas për Telegrafin.
Projekti i ri i këngëtarit pritet të publikohet brenda pak javësh, ndërsa ju prezantojmë me një nga skenat e klipit, ku si gjithmonë Vedat Ademi nuk zhgënjen me stilin e tij unik. /Telegrafi/