Leroy Sane është bërë një ndër lojtarët e pazëvendësueshëm te skuadra e Manchester Cityt.
Mesfushori gjerman ka kaluar gjatë verës në radhët e Citizens, të cilët kanë derdhur mbi 41 milionë euro në xhirollogarinë e Schalke 04.
Reprezentuesi i Gjermanisë ka zbuluar një detaj interesant teksa ka folur për mediat angleze, ku ka treguar se ka refuzuar dy herë ofertat e trajnerit aktual të Liverpoolit, Jurgen Klopp.
“”Ai më kërkoi sa isha pjesë e akademisë së Schalkes për tu transferuar te Dortmundi. Por unë nuk dëshirova të shkoja atje, pasi që besoja në perspektivën time te Schalke”, zbuloi fillimisht futbollisti.
Më pas ai tregoi se trajneri gjerman e kishte kërkuar te Liverpoolit, por që sërish kishte refuzuar të ishte nën urdhrat e Kloppit.
“Para se të shkoj te City, unë po flisja me ata. Jurgen më telefonoi, por që oferta më e mirë ishte e Citizens”, tregoi 22-vjeçari.
Theksojmë se dyshja e apostrofuar do të takohen nesër për herë të dytë në Ligën Premier, kur me fillim në ora 17:00 do të ballafaqohen në Anfield Road, Liverpooli dhe Manchester City.
Ndryshe, Sane deri më tani ka pasur 44 paraqitje për Cityn ndërsa ka shënuar 11 gola. /Telegrafi/