Site icon Telegrafi

L’Equipe njofton katër ndryshime në rregullat për ‘Topin e Artë’ – Messi ‘bie’ nga gara, Kosova nuk ka të drejtë vote

Me synimin për të rinovuar dhe për t’i bërë kriteret gjithnjë e më të qarta, L’Équipe ka njoftuar katër ndryshime në rregullat e ‘Topit të Artë’.

Fituesi i fundit i këtij çmimi është Leo Messi, apo shtatë herë fituesi i trofeut (rekord).

Më poshtë i gjeni katër ndryshimet që do të hyjnë në fuqi nga edicioni i ardhshëm.

1. DO TË NUMËROHET SEZONI, JO VITI

Deri më tani, fituesi i ‘Topit të Artë’ numërohej më i miri i vitit (nga janari në dhjetor), që ishte ekuivalente me marrjen në konsideratë të dy gjysmë sezoneve dhe jo të një sezoni të plotë.

Tani e tutje do të vlerësohet ajo që është arritur në sezon, nga gushti deri në korrik.

Kupa e Botës në Katar, pra, nuk do të llogaritet për Topin e Artë të vitit 2022 dhe do të llogaritet për atë të radhës, për atë të vitit 2023, pasi kur mbahet në dhjetor, bie brenda sezonit të ardhshëm.

Një ndryshim që praktikisht lë jashtë luftës për çmimin e radhës fituesin aktual, Leo Messi. I eliminuar në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve dhe me një rol të vogël në Ligue 1, shansi i tij i vetëm ishte të fitonte ose të luante një rol të madh në Kupën e Botës.

Duke qenë se ngjarja e Katarit do të llogaritet për edicionin e ardhshëm, argjentinasi pothuajse përjashtohet si fitues për vitin 2022.

2. NDRYSHIMET GJATË PËRGATITJES SË LISTAVE

Topi i Artë ka tridhjetë kandidatë për çmimin e meshkujve, njëzet për femrat dhe dhjetë për trofetë Yachine dhe Kopa.

Si do të zgjidhen? Deri më tani ishte një çështje e redaksive të France Football dhe L’Équipe. Tani e tutje do të shtohet edhe Didier Drogba, ambasadori i ‘Topit të Artë’, si dhe votuesit e edicionit të kaluar që iu afruan më shumë rezultatit përfundimtar. Për edicionin e radhës do të jetë gazetari vietnamez Truong Anh Ngoc, Gordon Watson (Zelanda e Re) dhe Karolina Hlavackova (Çeki). Midis këtyre personave do të shtjellohet listat përfundimtare që do të futen në garë.

3. “VETËM” PËRFAQËSUESIT E 100 VENDEVE TË PARËVE TË RANGIMIT TË FIFA-s DO TË VOTOJNË

Deri më tani, në listën e kandidatëve kanë votuar përfaqësues të 170 vendeve. L’Équipe merr vendim se vendet “të cilat nuk kanë një kulturë të madhe të futbolli apo legjitimitet historik dhe jo gjithmonë akses të lehtë në garat kryesore”, mund të dobësojnë jurinë.

Pra, gazeta franceze zvogëlon numrin e vendeve me të drejtë vote. “Vetëm përfaqësuesit e 100 vendeve të para në renditjen e FIFA-s (50-të për femrat) do të “mund” të votojnë”.

Kosova nuk do të mund të votojë, pasi ekipi përfaqësueses gjendet në vendin e 109-të në ranglistë.

4. KRITERET PËR VOTIMIN E NJË LOJTARI

L’Équipe kështu ka shpjeguar kriteret e reja: “Topi i Artë është një çmim individual. Kriteri numër 1 do të fokusohet kryesisht në paraqitjen individuale të pretendentëve. Duke qenë se futbolli mbetet një sport kolektiv pavarësisht gjithçkaje, kriteri numër 2 do të fokusohet tek performanca kolektive dhe rekordi i grumbulluar gjatë sezonit. Së fundi, kriteri numër 3 do t’i referohet klasit të lojtarit dhe lojës së ndershme. Kjo pasi të jesh shembull ka rëndësi. Një kriter që ishte si: “karriera e lojtarit” tashmë është larguar. Kjo për ta konsideruar garën për ‘Topin e Artë’ si një garë të hapur”. /Telegrafi/

Exit mobile version