Site icon Telegrafi

Leonit Muhaxheri dënohet me 17 vjet burg për vrasjen e 24-vjeçarit në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 17 vjet burgim të akuzuarin Leonit Muhaxherin për vrasjen e 24-vjeçarit me inicialet B.Q. në Ferizaj.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zyrtarja ligjore e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Gentiana Hoxha.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe Albin dhe Eugen Bajralia, të cilët janë dënuar me nga dy vjet burg, Mërgim Atanasova me shtatë muaj burg, si dhe Rinot Jashari me 5 mijë e 500 euro.

Lexo po ashtu Gjykimi për vrasjen e rëndë në Ferizaj, i akuzuari thotë se e kishte nxjerrë thikën pasi i kishte dëgjuar sharjet

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Leonit Muhaxheri akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, për shkak se më 4 shtator 2020, në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.Q, me ç’rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit Alorin Leka.

Në këtë rast, së bashku me Leonit Muhaxherin akuzohen edhe Albin Balia e Eugen Bajralia për pjesëmarrje në rrahje, Rinor Jashari për kanosje e moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre, si dhe Mërgim Atanasova për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale.

Albin Balia dhe Eugen Bajralia akuzohen nga Prokuroria se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Rinor Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”

E Mërgim Atanasova akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version