Një person është lënduar rëndë pasi është vetaksidentuar me veturë mbrëmë pasmesnate në sheshin e Suharekës.
Rasti ka ndodhur rreth orës 01:10 minuta, kur vozitësi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka goditur një shtyllë elektrike.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Ai ka bërë të ditur se të lënduarit i është dhënë ndihma e parë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë e pastaj është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit.
“Pasi ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, i njëjti ka refuzuar trajtimin e mëtejshëm aty. Lëndimet konsiderohen të jenë të rënda”, ka thënë Gashi.
Ai tutje ka bërë të ditur se përveç lëndimeve trupore, janë shkaktuar edhe dëme materiale dhe dëmtim i pronës publike.
“Me rastin është marrë Njësia e Trafikut Rajonal në Prizren”, ka përfunduar Gashi. /Telegrafi/