Site icon Telegrafi

Lëndime në regjionin e kokës, nga QKUK tregojnë për gjendjen shëndetësore të 23-vjeçares që u lëndua nga rënia e çatisë në Prishtinë

Një 23-vjeçare është lënduar ditën e enjte nga rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës në Arbëri.

Qytetarja e cila ka marrë lëndime po vazhdon të trajtohet në Mjekimin Intenziv të QKUK-së.

Shefi i Mjekimit Intenziv, Shaqir Uka, ka thënë për Telegrafin se ajo është sjellë në këtë repart pas ndërhyrjes kirurgjike që ka pasur, dhe se e njëjta ka lëndime serioze.

“Është sjellur mbrëmë në Mjekimin Intenziv mbrëmë pas intervenimit kirurgjik për shkak të lëndimeve të shkaktuara në regjionin e kokës në regjionin e trurit. Gjendja e përgjithshme për momentin prezantohet të jetë stabile përkundër lëndimeve serioze që ka pësuar. Ka edhe lëndime të unazave të qafës”, tha ai.

Lexo po ashtu Policia jep detaje për rënien e kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës, një femër e lënduar dërgohet në QKUK

Uka tha më tej se “ pacientja vazhdon të qëndrojë edhe më tutje e fjetur me barna e varur nga aparatura e frymëmarrjes dhe e mbuluar me terapinë standarde që bëhet për lëndimet e tilla”.

Ndryshe, 23-vjeçarja raportohet se është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani.

Ujkani sot gjatë ditës ka shkruar një postim në Facebook, duke u lutur për motrën e saj.

Ndryshe, rënia e kulmit ka ndodhur ditën e enjte rreth orës 13:00, në rrugën ‘Nora e Hotit’ në Prishtinë./Telegrafi/

Exit mobile version