Lekaj një postim në Facebook e ka quajtur Kurtin vetëm si kryeministër të Vetëvendosjes, derisa ka hedhur akuza në drejtim të tij.
“Kryeministri i Vetëvendosjes del çdo ditë, me fytyrën “e shqetësuar” për atë që po ndodh në 18 përqind të territorit të Kosovës, ku qytetarët e tij të nacionalitetit serb janë lënë në mëshirën e krimit të organizuar dhe strukturave të Beogradit. Kryeministri i Vetëvendosjes del çdo të dytën ditë dhe u tregon qytetarëve të Kosovës se po pret KFOR-in që të pastrojë rrëmujën që krijoi ai vetë, duke lënë në hije atë që është më e rëndësishme për Kosovën, mbyllja e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, ka shkruar Lekaj.
Ai ka shtuar se Kurti nuk e ka as guximin që t’u thotë gazetarëve që nuk i mbron dot.
Lekaj ka thënë se Kurti nuk po guxim as të kalojë Ibrin e t’u afrohet barrikadave.
“Kryeministri sovranist i Vetëvendosjes jep ultimatum nga zyrat e ngrohta të qeverisë dhe nuk ka guxim ta kalojë Ibrin dhe t’u afrohet barrikadave. “Naltmadhnia” që dikur rrëzonte kamionë dhe përgjakej me policinë, nuk ka guxim t’i afrohet kamionëve të barrikadave dhe as të marrë megafonin dhe t’u drejtohet qytetarëve të tij serbë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Lekaj.
Postimi i plotë:
Kosova nuk është filial i Vetëvendosjes së Kurtit!
Kryeministri i Vetëvendosjes po del çdo ditë në TV nga zyrat e tij të ngrohta, ndërkohë që policët e Kosovës, ngrijnë duke shërbyer 24 orë pa pushim në veri. Kryeministri i Vetëvendosjes del çdo ditë, me fytyrën “e shqetësuar” për atë që po ndodh në 18 përqind të territorit të Kosovës, ku qytetarët e tij të nacionalitetit serb janë lënë në mëshirën e krimit të organizuar dhe strukturave të Beogradit. Kryeministri i Vetëvendosjes del çdo të dytën ditë dhe u tregon qytetarëve të Kosovës se po pret KFOR-in që të pastrojë rrëmujën që krijoi ai vetë, duke lënë në hije atë që është më e rëndësishme për Kosovën, mbyllja e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Kryeministri i Vetëvendosjes del vetë dhe askush nga “fmijaçat” e tij nuk guxojnë të hapin gojën, madje as policia. “Madhëria e Tij” flet vetë dhe nuk lejon askënd të hapë gojën, as për të përsëritur atë që thotë ai. Publikut në Kosovë i servohet vetëm fjala e “Naltmadhnisë”.
Gazetarët sulmohen në veri, në territorin e Kosovës, po Kryeministri i Vetëvendosjes nuk i mbron dot, dhe nuk ka as guximin t’u thotë që nuk i mbron dot. Kryeministri sovranist i Vetëvendosjes jep ultimatum nga zyrat e ngrohta të qeverisë dhe nuk ka guxim ta kalojë Ibrin dhe t’u afrohet barrikadave. “Naltmadhnia” që dikur rrëzonte kamionë dhe përgjakej me policinë, nuk ka guxim t’i afrohet kamionëve të barrikadave dhe as të marrë megafonin dhe t’u drejtohet qytetarëve të tij serbë të Republikës së Kosovës.
Kryeministri “rebel” i Vetëvendosjes, pret që dikush tjetër t’ia nxjerrë gështenjat nga zjarri, të cilit i fryu edhe vetë, duke i dhënë pretekst Serbisë, dhe duke e zhvendosur vëmendjen nga marrëveshja përfundimtare tek barrikadat. Sepse “Naltmadhnia” pret që dikush tjetër t’ia zgjidhë hallin dhe ai pastaj, të dalë dhe të thotë se nuk u përkul para presionit, as të miqve, as të armiqve, dhe ia doli mbanë.
Dhe në fund, kjo sjellja e “Naltmadhnisë” në lidhje me ndërkombëtarët, i ngjan shumë fjalisë famëkeqe të Enver Hoxhës: “Bar do hamë, po parimet nuk i shkelim.” Dhe parimet e “Naltmadhnisë” janë vetëm dhe vetëm “pushteti.” Kush nuk e kupton këtë tani, nuk ka për ta kuptuar kurrë! /Telegrafi/