Telegrafi

Leite Kaka pritet t’i bashkohet stafit të Ancelottit te Brazili

Legjenda e Milanit, Leite Kaka thuhet se mund t’i bashkohet ish-trajnerit të tij Carlo Ancelotti në stafin teknik të Brazilit nga viti 2024.

Ednaldo Rodrigues, presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit zbuloi të mërkurën se Ancelotti do të marrë drejtimin e Selecaos duke filluar nga Copa America 2024.

Sipas mediumit italian La Gazzetta dello Sport, ish-ylli i Milanit dhe Brazilit, Kaka, mund t’i bashkohet stafit të Ancelottit brenda një viti.

Lexo po ashtu Merr fund telenovela: Ancelotti do të bëhet trajner i Brazilit

Rodrigues thuhet se kishte folur me ish-fituesin e Topit të Artë dhe bashkëkombësin e tij Cafu gjatë bisedimeve me Ancelottin dhe Kaka mund t’i bashkohej ish-trajnerit të tij në vitin 2024.

Ancelotti është nën kontratë në Santiago Bernabeu deri në qershor 2024, kështu që ai do t’i bashkohet ekipit kombëtar të Brazilit pas përfundimit të marrëveshjes së tij në kryeqytetin spanjoll.

Ndërkohë, Fernando Diniz do të mbikëqyrë kombëtaren braziliane si trajner i përkohshëm.

Kaka shënoi 95 gola në 270 ndeshje nën drejtimin e Ancelottit në Milan, duke fituar pesë tituj, duke përfshirë një Scudetto dhe një Ligë të Kampionëve. /Telegrafi/