Legjenda e Real Madridit, Fernando Hierro ka thënë se ish-klubi i tij duhet të nënshkruajë me dy yjet e mëdhenj botëror, Erling Haaland dhe Kylian Mbappe këtë verë.
Haaland ka rënë në radarin e Real Madridit pas një fillimi të shkëlqyeshëm të karrierës së tij në Borussia Dortmund, ndërsa sulmuesi i Paris Saint-Germain, Mbappe është prej kohësh një objektiv i mundshëm për gjigantët spanjollë.
Është raportuar se Los Blancos do të përpiqen të nënshkruajnë njërin nga dy yjet më vonë këtë vit, pasi Zinedine Zidane kërkon të forcojë radhët e tij sulmuese.
Por, ish-kapiteni dhe legjenda e klubit, Hierro nuk sheh asnjë arsye pse ish-klubi i tij nuk mund t’i transferojë të dy lojtarët.
Hierro, i cili luajti mbi 500 ndeshje për Mbretërit në kulmin e karrierës së tij ndërsa mori pesë tituj në La Liga dhe tre trofe të Ligës së Kampionëve këto komente i dha për Radio Marca.
“Nëse do të isha te Real Madridi, do të nënshkruaja të dy Haalandin dhe Mbappen”, ka thënë spanjolli Hierro.
Sa do të kushtonin Haaland dhe Mbappe?
Haaland u zhvendos në Dortmund nga Red Bull Salzburg në janar të 2020 për çmimin e volitshëm prej 20 milionë eurosh, por aksionet e tij u rritën që nga ajo kohë.
20-vjeçari ka shënuar 49 gola në 49 ndeshjet e tij të para për Dortmund, dhe raportet e fundit kanë sugjeruar se ai tani vlerësohet më shumë se 80 milionë euro.
Mbappe, ndërkohë, është aktualisht lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori, pasi është blerë nga Monaco në një marrëveshje prej 145 milionë eurosh në vitin 2017 – e cila përfshinte 35 milionë euro bonuse.
Ashtu si Haaland në Westfalenstadion, vlera e francezit është rritur në Parc des Princes pasi ai ka ndihmuar kampionët francezë të fitojnë tre tituj radhazi të Ligue 1 dhe të arrijnë në finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa gjithashtu u bë një fitues i Kupës së Botës me Francën.
Nëse Real Madridi me të vërtetë vendos të provojë dhe të ndërmjetësojë një transferim të dyfishtë kur tregu të hapet, ata pothuajse me siguri do të duhet të paguajnë së paku 300 milionë euro. /Telegrafi/