Lea Seydoux është në bisedime për të luajtur rolin e Lady Margot në vazhdimin e filmit “Dune” (“Dune Part 2”).
Aktorja franceze u bë e njohur për rolet në “Mission: Impossible – Ghost Protocol” me Tom Cruise, si dhe duke luajtur krahas Daniel Craig në filmat për James Bondin, “Spectre” dhe “No Time to Die”.
Ajo tash është në bisedime për të luajtur në vazhdimin e filmit të bazuar në romanin e Frenk Herbert, me regji të Denis Villeneuve, i cili e ka adaptuar edhe skenarin së bashku me Jon Spaihts.
Në këtë mënyrë, 36-vjeçarja do t’i bashkohej ekipit të aktorëve të përbërë nga emra, si Timothee Chalamet, Rebecca Ferguson, Zendaya e Josh Brolin – të cilët pritet t’i përsëritin rolet e tyre.
Po ashtu, së fundmi janë konfirmuar edhe Florence Pugh, Christopher Walken e Austin Butler, të cilët do të jenë pjesë e projektit.
Në pjesën e parë të historisë, Lady Margo nuk ka një rol të madh, për të marrë një hapësirë më të madhe në vazhdimin e dytë, dhe kjo është ndoshta një nga arsyet pse producentët vendosën për yllin në ngritje.
“Dune: Part Two” pritet të hyjë në produksion këtë vjeshtë, ndërsa qëllimi është të shfaqet në kinema në tetor të vitit 2023. /Telegrafi/