Grupi Parlamentar i LDK-së ka reaguar në lidhje me deklaratat që ka bërë njëri nga këshilltarët e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, ndaj deputetes Vjosa Osmani.
“Sot njëri nga këshilltarët e z.Veseli ka fyer një deputete të LDK-së, znj.Vjosa Osmani, për deklaratat që ajo ka bërë në një përgjigje që i ka dhënë z.Veselit. Përgjegjësinë për debatin dhe fjalorin e përdorur nga deputet ndaj njëri-tjetrit në Kuvend dhe jashtë Kuvendit e marrin vetë deputetët. Në mes tyre nuk mund të ndërhyjë një zyrtar i Kuvendit”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata kanë kërkuar nga Veseli që të distancohet nga deklaratat e këshilltarit të tij dhe të merr masa duke e larguar nga Kuvendi.
“Kjo sjellje e këtij këshilltari është e papranueshme. Z.Veseli duhet të distancohet nga ai këshilltar dhe të ndërmarrë masa ndaj tij duke e larguar nga Kuvendi. Nuk mundet asnjë zyrtar i Kuvendit të fyejë një deputet. Ai person nuk mund të jetë më staf i Kuvendit”, ka thënë Grupi Parlamentar i LDK-së.
Këshilltari i kryeparlamentarit Veseli, Blerim Latifi e ka quajtur fashizëm klasik një deklaratë të Osmanit.
“Deklarata e Vjosa Osmanit është fashizëm klasik, sepse fashizmi është pikërisht lidhja e sjelljes politike të dikujt në ADN e tij biologjike. Është për keqardhje qe një fashiste e tille është deputete ne kuvendin e Kosovës dhe edhe ma keq që një fashiste e tillë mban ligjërata drejtësie”, ka thënë këshilltari i Veselit. /Telegrafi/