Site icon Telegrafi

LDK: Qeveria së bashku me ekipin negociator të dorëhiqet

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka folur qartë dhe zëshëm lidhur me ligjin për dialog duke e quajtur anti-kushtetues.

“Ky vendim e konfirmon atë që LDK-ja ka thënë nga dita e parë e krijimit të Qeverisë së PAN-it. Dialogu duhet të udhëhiqet vetëm nga institucionet legjitime sipas kompetencave kushtetuese që kanë ato institucione. Kosova është dëmtuar shumë nga pazaret antikushtuese të koalicionit PAN”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Kushtetuesja aprovon kërkesën e LDK-së dhe VV-së: Ekipi negociator është antikushtetues

Sipas tij të gjitha veprimet që ka ndërmarrë Qeveria sa i përket dialogut ka bërë shkelje kushtetuese.

“Shkelje e Kushtetutës është draft-rezoluta e miratuar në Qeveri, ku dialogu i kalon Presidentit, shkelje është platforma e dialogut e miratuar në Kuvend, shkelje e Kushtetutës është ligji për dialog. Andaj sot menjëherë ekipi dialogues dhe Qeveria duhet të japin dorëheqje. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja për të zgjedhur institucione legjitime, që marrin përsipër obligimet shtetërore sipas Kushtetutës”, ka thënë ai.

Ndërsa deputetja Vjosa Osmani theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë mesazh kryeminsitrit se nuk mund të zgjedh kompetencat.

“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë mesazh kryeministrit Haradinaj, se kompetencat kushtetuese nuk janë zgjidh e merr. Kompetenca e Qeverisë për ta ndërtuar dhe zbatuar politikën e jashtme të vendit nënkupton përgjegjësi shtetërore dhe patriotike për të mbrojtur interesat e Kosovës si kryeministër dhe si Qeveri në dialog me Serbinë. Duke ikur nga kjo përgjegjësi, ai ka treguar që nuk është i aftë të mbrojë interesat e Kosovës. Andaj duhet që Qeveria të ik bashk me ekipin negociator”, është shprehur ajo.

Ndryshe sot Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kërkesa e bërë nga deputetë është pranuar, dhe se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk i është paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit.

Në anën tjetër kreu i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti njëherësh kryetari i Partisë Socialdemokrate, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Ekipi Negociator për bisedime me Serbinë është jokushtetues.

Lexo po ashtu Ahmeti pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e PSD-së largohen nga Ekipi Negociator

Ahmeti ka thënë se, Partia Socialdemokrate e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se do të veprojë sipas tij.

Ai ka thënë se anëtarët e Delegacionit Shtetëror nga radhët e PSD-së, nga sot pushojnë së shërbyeri për këtë organ, dhe se nesër do t’i dorëzojnë dorëheqjet nga Delegacioni në Kuvend./Telegrafi/

Exit mobile version