Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duke kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim të sektorit energjetik dhe reduktime të rrymës, ka propozuar 10 pikat e planit për të përballuar këtë krizë.
Në konferencën për media, deputetja Hykmete Bajrami së bashku me deputetin Besian Mustafa kanë propozuar që të bëhet pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milionë euro për çmimin e energjisë elektrike, riparimi i bllokut A5 i termocentralit “Kosova A”, krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative për ngrohje me çmime të përballueshme për qytetarët si dhe të bëhet përgatitja e planit të efiçiencës dhe kursimit të energjisë.
Po ashtu, është kërkuar që të bëhet Negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji, zbritja e TVSh-së nga 8 në 0 përqind për faturat e energjisë, pako e re për subvencionim e energjisë për qytetarët dhe bizneset, largimi tarifave diskriminuese të ZRRE-së, si dhe themelimi i bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri.
Deputetja Bajrami tha se është i pa precedent aplikimi i reduktimeve të energjisë elektrike në muajin gusht, që sipas saj po krijohet një pasiguri për qytetarët dhe bizneset.
Disa prej bizneseve siç tha ajo rrezikojnë të falimentojnë.
Anëtari i kryesisë së LDK, Besian Mustafa tha se Qeveria Kurti nuk bëri asgjë për ta lehtësuar krizën dhe barrën energjetike për qytetarët.
Dhjetë pikat e plota të propozuara
1. Pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milion euro për çmimin e energjisë elektrike
Në janar dhe shkurt të këtij viti, përderisa kriza energjetike po merrte përmasa shqetësuese, Qeveria u zotua të ndante 90 milionë euro për subvencionim të çmimit të energjisë elektrike. Mbi këtë zotim të Qeverisë, ZRrE kishte vendosur të lejonte tarifa (çmime) të reja, duke u mundësuar operatorëve ekonomik publik dhe privat të sektorit të energjisë të vazhdonin furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike.
Përkundër vendimit qeveritar për subvencionim, gjashtë muaj më pas, kjo Qeveri – në kulmin e papërgjegjësisë e paaftësisë, nuk ka paguar asnjë shumë të këtij subvencionimi. Ndonëse i kishte zotuar si mjete – me vendim qeveritar – ndonëse tarifat energjetike kishin marrë këtë subvencionim të zotuar për bazë – gjashtë muaj më pas, operatorët energjetik që veprojnë në një treg të rregulluar, nuk kanë pranuar asnjë mjet nga shuma e zotuar qeveritare. Ata sot janë zhytur në borxhe të thella ndaj njëri-tjetrit, duke e bërë kështu krejtësisht të pamundur operimin financiar të tyre dhe së këndejmi dhe sigurimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
Kjo papërgjegjësi dhe paaftësi e Qeverisë, ka bërë që KEDS t’i ketë borxh KEK-ut rreth 71 milionë euro, ndërsa KESCO t’i ketë borxh KEK-ut rreth 21 milionë euro. Si rezultat i këtyre borxheve, të shkaktuara nga mospagesa e subvencionit prej 90 milionë euro, KESCO e ka të pamundur të financoj me borxhe të mëtutjeshme importimin e energjisë elektrike, duke u detyruar të fillojë regjimin e reduktimeve, ndërsa KOSTT-i rrezikohet të përjashtohet nga ENTSO-E në vjeshtë të këtij viti. Pra, Qeveria me mosveprimet e saj po rrezikon anulimin e pavarësisë energjetike të Kosovës.
Së fundmi, Qeveria ka vendosur të ndajë, për të shumtën herë me radhë, edhe 41 milionë euro për të subvencionuar në tërësi faturat e energjisë elektrike në Veri të Kosovës, por, fatkeqësisht, vazhdon të mos ekzekutoj zotimin e saj për subvencionin prej 90 milionë eurove.
Prandaj, LDK i kërkon Qeverisë që sa më parë të paguaj subvencionin prej 90 milionë eurove, të cilin e kishin zotuar në janar dhe mbi të cilin ZRrE-ja kishte caktuar tarifat e reja. Kjo pagesë do të mundësonte zhbllokimin financiar të sektorit të energjisë duke i lejuar ata që të paguajnë për energjinë që e sigurojnë për konsumatorët kosovar.
2. Riparimi i Bllokut A5 i termocentralit “Kosova A”
Ndonëse kriza energjetike kishte goditur rëndë Kosovën dimrin e shkuar, ajo nuk i kishte shërbyer si paralajmërim Qeverisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave me kohë para dimrit vijues. Kjo Qeveri, në pashpjegueshmërinë e veprimeve të saja, kishte kaluar gjithë muajt e ngrohtë të pranverës e verës, duke mos riparuar me kohë kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike. Kjo vonesë riparuese, ka shkaktuar fillimisht largimin nga funksioni të një pjese të kapaciteteve tona gjeneruese, e më pas blerjen e energjisë elektrike me çmime të shtrenjta dhe reduktime vijuese që kanë dëmtuar jetën ekonomike të Kosovës.
Blloku A5, i Termocentralit Kosova A, është jashtë funksionit që nga 19 korriku i këtij viti. Ky bllok, me kapacitet 130 MË për orë, ishte paraparë të merrte remontin kapital para qershorit të vitit 2022. Ndonëse ndodhemi në prag të shtatorit dhe muajve të ftohtë vijues, remonti kapital – që rëndom merr katër muaj kohë për përfundim – as nuk ka nisur e as nuk është procesuar për kontraktim.
Në fakt, ndërhyrjet e pazakonta në tenderim të këtij remonti, kanë bërë që procesi të dështojë me kohë. Në kohën kur çmimi i një megaWat energji arrin në mbi 600 euro për orë, Kosova humbet dhjetëra miliona euro, duke mos prodhuar plot 130 MWh energji elektrike për çdo orë. Dhe me kohën e nevojshme, pra katër mujore – për remont kapital, Kosova do të futet në dimër me 130 MWh energji elektrike më pak. Kjo papërgjegjësi menaxhuese, ndonëse me paralajmërim për krizë me kohë, duhet të marrë përgjegjësinë e merituar, nga shkarkimi i Bordit të Qeverisë në KEK e deri tek përgjegjësia institucionale në Qeverinë e Kosovës.
LDK i kërkon po ashtu prokurorisë, të nisë hetimet mbi procesin e vonuar tenderues; dhe ndërhyrjet eventuale në terma të referencës – që përfundimisht kanë shkaktuar vonesat e riparimit me kohë.
Përtej mungesës gjeneruese në kapacitetet e Kosovës A; është e pakuptimtë që, përkundër aprovimit të masave emergjente në sektorin e energjisë nga Kuvendi, madje për herë të dytë sivjet, “Iberlepenci” vazhdon të eksportojë energji elektrike me çmim 15 herë më të lirë sesa e importojnë operatorët vendor për konsum vendor. Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim në këtë drejtim.
Po ashtu, në këtë situatë emergjente duhet analizuar mirë dhe vepruar me vendosmëri për shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve hidroenergjetike për përmbushjen e nevojave vendore për energji elektrike.
3. Krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative për ngrohje me çmime të përballueshme për qytetarët
Çmimi i burimeve alternative për ngrohje, veçanërisht i peletit dhe drunjve, është rritur në përmasa të papërballueshmërisë qytetare. Për më tepër, reduktimet e paparalajmëruara të energjisë elektrike gjatë verës, kanë dërguar sinjale frike për një dimër të vështirë; duke shkaktuar dhe më tutje rritjen e çmimeve të këtyre produkteve.
Rritja e çmimit për burime alternative, në përmasat e papërballueshmërisë, do të rrisë kërkesën për energji elektrike – dhe së këndejmi, do të rëndojë dhe më tutje furnizimin me energji elektrike.
Fatkeqësisht, Qeveria e papërgjegjshme e Kosovës, nuk ka ndërmarrë asnjë masë të deritanishme në këtë drejtim; qoftë duke krijuar rezerva të çfarëdoshme; qoftë duke bërë lehtësime fiskale në këtë drejtim.
I kërkojmë Qeverisë që sa më parë të krijojë mekanizma që u mundësojnë qytetarëve, dhe institucioneve publike pa dallim, furnizimin me burime alternative për ngrohje – që në kthim, reduktojnë kërkesën për konsum energjetik dhe sigurojnë ngrohje gjatë muajve në vijim.
4. Përgatitja e planit të efiçiencës dhe kursimit të energjisë
Deri më tani Qeveria ka bërë shumë pak për të rritur përdorimin eficient të energjisë elektrike. Fondi i Kosovës për Eficiencë të Energjisë ka krijuar procedura tejet burokratike për të pasur ndonjë efekt substancial në këtë drejtim. I kërkojmë Qeverisë që me urgjencë të krijojë mekanizma stimulues që rrisin shpejtë përdorimin eficient të energjisë elektrike, për të shkarkuar shpejtë kërkesën që rëndon mbi sektorin energjetik për furnizim me energji.
Njëkohësish, Qeveria e Kosovës nuk ka paraparë asnjë strategji vepruese në sistemin arsimor gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Akomodomimi i mësimdhënies me furnizim të ngrohjes dhe energjisë elektrike, do të ishte masë e domosdoshme përgatitore që tani.
Të njëjtën masë vepruese, Qeveria e Kosovës duhet ta mendojë dhe për sektorin e prodhimit; me theks të veçantë në inkurajimin e sektorit privat që procesin e prodhimit ta organizojë gjatë mbrëmjes, kur konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike është më i ulët.
5. Negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji
Edhe pse Kosova momentalisht nuk është anëtare e ndonjë burse ndërkombëtare të energjisë, operatorët kosovar mund të negociojnë kontrata afatgjata të furnizimit me energji elektrike. Me një planifikim të mirëfilltë që reflekton nevojat e konsumit vendor gjatë dimrit, Kosova do të mund të lidhte kontrata disamujore që sigurojnë furnizim të mjaftueshëm për konsumatorë dhe çmime stabile afatgjata, deri në tejkalimin e krizës aktuale energjetike.
Refuzimi kokëfortë i një praktike të tillë, paralizon vendin tonë nga një instrument i rëndësishëm stabiliteti energjetik.
6. Zbritja e TVSH-së nga 8% në 0% për faturat e energjisë
Në këtë periudhë të krizës energjetike është fare e pakuptimtë që Qeveria të vazhdojë të vjelë tatime në faturat e energjisë elektrike. Roli i Qeverisë në këtë fazë emergjente është t’u sigurojë qytetarëve dhe ndërmarrjeve prodhuese energji në sasi të mjaftueshme dhe kosto të përballueshme si dhe lehtësira e nxitje financiare që e bëjnë këtë situatë më të përballueshme.
Prandaj, LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës të eliminojë tërësisht TVSh-në në faturat e energjisë, pra nga 8% në 0%, deri në tejkalimin e krizës energjetike.
7. Krijimi i subvencioneve të reja për qytetarët dhe bizneset
Pakoja ekzistuese prej gjithsej 120 milionë eurove të ndara për vitin 2022 mund të mos mjaftojë për furnizim të mjaftueshëm me çmim të përballueshëm për këtë vit. Andaj, gjithsesi duhet urgjent të përgatitet një pako e re e subvencionimit të kostos së energjisë elektrike për sezonin e ftohtë 2022/2023 që u ndihmon konsumatorëve të përballën dhe ta tejkalojnë më lehtë këtë krizë.
Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përgatitjet financiare me kohë, dhe të njëjtat ti koordinojë me institucionet energjetike vendore; për të siguruar kështu furnizimin e rregullt me energji elektrike.
8. Largimi i tarifave diskriminuese të ZRrE-së
Tarifat ekzistuese të miratuara nga ZRrE-ja janë diskriminuese duke bartur barrën financiare të një grupi të konsumatorëve të energjisë mbi supet e një grupi tjetër. Tarifat duhen të ngarkojnë koston tek secili sipas konsumit të tyre të energjisë.
Prandaj, në vazhdimësi me kërkesat e fillimvitit, LDK kërkon rishikimin e plotë të tarifave aktuale, dhe përshtatjen e tyre me qëllim të eliminimit të praktikës diskriminuese ndaj familjeve kosovare.
9. Themelimi i bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri
Ka mbi 10 vite tanimë që Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë marrëveshje bashkëpunimi në nivel të kompanive elektroenergjetike, përkatësisht KEK dhe KESh, për të përkrahur njëra-tjetrën. Kjo formë e bashkëpunimit duhet zgjeruar dhe thelluar dhe i kërkojmë Qeverisë që sa më parë të themelojë bursën energjetike të përbashkët Kosovë-Shqipëri ku do të mundësohet tregtimi i lehtë dhe i shpejtë i energjisë elektrike në mes të dy vendeve tona. LDK zotohet të përkrahë çdo nismë ligjore eventuale në Kuvend për të përshpejtuar këtë proces.
10. Përgatitja e Strategjisë afatmesme për rritjen e kapaciteteve gjeneruese me gaz dhe energji alternative
Në planin afatgjatë, Qeveria duhet urgjentisht të nisë procedurat për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me financim vetanak, bashkëfinancim me donatorë apo institucione financiare ndërkombëtare, financim privat dhe partneritete publiko-private. Potencialet më të mëdha në këtë drejtim janë tek burimet e gazit natyrorë, pra termocentralit me gaz, energjisë solare dhe asaj nga era.
LDK i kërkon Qeverisë së Kosovës ofrimin me urgjencë të një strategjie afatmesme mbi potencialet tona gjeneruese; dhe nevojën e sigurimit afatgjatë të energjisë elektrike për qytetarët tanë dhe sektorin privat e publik në Kosovë. /Telegrafi/