Kryeparlamentari Kadri Veseli së bashku me një delegacion pritet të qëndrojë sot dhe nesër në Vjenë të Austrisë, për të lobuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Këtë lobim të Veselit për viza nuk e përkrah Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kështu ka pohuar shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se nuk i bashkohen turit lobues të Veselit, sepse konsiderojnë se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.
“Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane.Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Postimi i plotë:
Grupi Parlamentar i LDK-së nuk i bashkohet turit lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.
Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane.
Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës.
Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare.
Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së. /Telegrafi/