Site icon Telegrafi

LDK kthehet te propozimi i vjetër, i kërkon LVV-së pozitën e presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe pesë ministri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ia ka dërguar sot me shkrim propozimin e tyre Lëvizjes Vetëvendosjes, një ditë pas ofertës për bashkëqeverisje që LVV ia bëri LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës në propozimin dërguar Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer te oferta e tyre e vjetër, ku kërkojnë që LDK-ja ta ketë presidentin, kryeparlamentarin dhe pesë ministri, raporton Telegrafi.

Propozimet e LDK-së, të dorëzuara sot me shkrim: 

1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

2. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

3. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

4. Si rezultat i kësaj marrëveshje:

Deri në zgjedhjen e Presidentit:
VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.

Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:
VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.

5. Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme. /Telegrafi/

Exit mobile version