Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit e shoqërisë civile ku kanë diskutuar për zhvillimet në vend.
Abdixhiku ka thënë para mediave se për LDK-në, gjendja e tanishme kërkon shtensionim dhe zgjedhje të reja në katër komunat veriore, transmeton Telegrafi.
“Për LDK-në gjendja e tanishme kërkon shtensionim, zgjedhje të reja sa më parë që të jetë e mundshme me qëllim të kthimit të legjitimitetit tek institucionet lokale në katër komunat veriore, i dëmtuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Duhet të organizohen nëpërmjet një marrëveshjeje politike të pjesëmarrësve në zgjedhje, VV-së, PDK-së dhe katër kryetarëve aktualë për dorëheqjet e tyre dhe shkaktim të zgjedhjeve për 45 ditë”, ka thënë ai.
Abdixhiku po ashtu ka deklaruar se, Kosova duhet të krijojë ekipe profesionistësh e diplomatësh me përvojë për t’i çuar në kryeqendrat botërore për të kërkuar heqjen e sanksioneve e për të parashkruar hapat e ardhshëm të vendit.
Gjatë deklarimit për media, ai ka thënë se duhet të krijohet një ekip profesionistësh nga të gjitha sferat për ta ndërtuar draft-statutin e Asociacionit.
“Kosova duhet të marrë autorësinë mbi draftin dhe kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare. Tash e një vit të gjitha institucionet ndërkombëtare, në veçanti SHBA-ja, kanë kërkuar që Kosova e institucionet të marrin autorësinë që kjo autorësi të mos u vihet palëve të tjera”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/