Telegrafi

LDK kërkon shkarkimin e ambasadorit Berishaj, thotë se AKK sot ka dorëzuar kallëzim penal ndaj tij

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit Martin Berishaj, ndërsa theksojnë se Agjencioni anti-korrupsion sot ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Berishajt.

Jehona Lushaku – Sadriu nga LDK-ja në një postim në Facebook shkruan se hapja e hetimeve, por edhe përfshirja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rënd imazhin e vendit.

Lexo po ashtu Çitaku: Të zbardhet sa më parë afera e ambasadorit Berishaj, presidentja e kryeministri mos ta marrin në mbrojtje

Lexoni të plotë postimin e saj:

Shkarkimi i Ambasadorit Martin Berishaj është domosdoshmëri

Agjensioni Anti-Korrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj; mbi faktet shokuese të bëra publike muaj me parë. Kallëzimi penal është përfundim logjik ndaj një skandali të fshehjes së të hyrave prej gjysmë milioni.

Hapja e hetimeve, por edhe përfshirja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rënd imazhin e vendit tonë, rrjedhimisht e bëjnë të pamundur përfaqësimin e shtetit.

Prandaj, deri në përfundimin e rastit në fjalë, kërkojmë shkarkimin e ambasadorit Martin Berishaj; siç dhe kërkojmë sqarimin e secilit zyrtar publik, që në fillet e shpërthimit të këtij skandali, kishin garantuar dhe  marrë në mbrojtje ambasadorin në fjalë. /Telegrafi/