Site icon Telegrafi

LDK kërkon raportim të Kurtit për marrëveshjen në Bruksel, Abdixhiku: Kryeministri po i bënë dëmin më të madh Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, si pikë e parë e rendit të ditës të hyjë raportimi i kryeministrit Albin Kurti për marrëveshjen e arritur në Bruksel më 27 shkurt 2023.

Propozimin e mocionit procedural e bëri kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Propozoj mocion procedural që si pik e parë e rendit të ditës të ndodh raportimi i kryeministrit  pas procesit dialogues konfrom rezolutave paraprake të nxjerra në Kuvend”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se kjo marrëveshje është e dëmshme.

“Këtë javë më 27 shkurt në takimin e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së është arritur dakordim për një marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja e pa prezantuar në Kuvendin e Kosovës por e dakorduar në Bruksel u prezantua po në natën e 27 shkurtit.

Kjo marrëveshje kishte 11 nene, një parathënie dhe një aneks të pa bërë publik që palët janë zotuar ta respektojnë sipas nenit 11 të marrëveshjes. U vërtetuan brengat tona të ngritura. Nuk ishte finale e as nuk përmbante njohjen e ndërsjellë në qendër të saj…”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se ajo  që merr vëmendjen në këtë marrëveshje ishte parathënia e saj që sipas tij është mbajtur fshehtë nga kryeministri në raportimin e fundit të bërë në këtë Kuvend.

“Parathënien e gjen në dy formulime skandaloze të rënda dhe me dëme historike për Kosovën. E para ka të bëjë me tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës, dhe i dyti ka të bëjë, pa paragjykim të palëve mbi çështjen e statusit.. Kjo do të thotë se tejkalohet e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë, me dakordim të palëve, përfshirë krimet, masakrat – sepse palët kanë vendosur ta tejkalojnë të kaluarën me një copë letër. Në vend të ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën, kryeministri në preambulë si vlerë dakordohet për tejkalim të trashëgimisë të kaluarës.”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, shtoi se ky është një rast i paprecedent, ku Kosova pajtohet me paragjykimin rreth statusit të vet politik.

“Barazon mosnjohjen e Serbisë me vet aktin e deklarimit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ky formulim neutral ndaj statusit të Kosovës është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut nga një kryeministër i Kosovës. Marrëveshja Kurti-Vuçiq sjell neutralitetin ndaj statutit të Kosovës. Pra marrëveshja jo vetëm që nuk e ka njohjen në qendër të saj, por ka neutralitet…”, tha Abdixhiku.

Gjatë fjalës së tij partia në pushtet LVV, nga ulëset kundërshtonin fjalimin e Abdixhikut.

Në një moment Abdixhiku iu drejtua se “pushteti po frikohet nga e vërteta. Më lejoni ta shtroj mocionin procedural me arsyetim…”. /Telegrafi/

Exit mobile version