Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese për interpretim ligjshmërinë e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Para mediave, deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, ka deklaruar se LDK-ja nuk pajtohet me mënyrën si është proceduar ky ligj dhe se amendamentet e tij janë në kundërshtim me frymën kushtetuese.
“Nuk pajtohemi me mënyrën se si është ardhur dhe se si është proceduar. Amendamentet mendojmë që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe frymën e saj. Dhe besojmë që interferimet në Këshillin Prokurorial dhe në sistemin e drejtësisë në mënyrë politike janë jo të shëndetshme për demokracinë dhe për frymën e gjyqësorit, për të cilin pretendohet që të gjithë në një zë duhet të sigurojmë në mënyrë të barabartë dhe demokratike, pa ndërhyrje dhe pa kapje të këtij institucioni kushtetues shumë të rëndësishëm”, ka thënë Zemaj pas dorëzimit të ligjit në Gjykatë.
Gjatë ditës edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka dërguar në Kushtetuese për interpretim Ligjin për KPK-në të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Ndryshe, edhe Këshilli Prokurorial ditë më parë bëri të ditur se ka bërë kërkesë në Institucionin e Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit të ndryshuar për KPK-në në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas KPK-së, komentet e tij ndërlidhen me evidentimet konkrete të shkeljeve kushtetuese dhe ligjore që janë bërë me anë të këtij ligji, të miratuar më 23 qershor 2022, në Kuvendin e Kosovës.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës dëshmon se mbetet i përkushtuar që kontestimin e këtij ligji ta bëjë vetëm nëpërmjet rrugëve kushtetuese dhe ligjore dhe do të vazhdojë të angazhohet për një sistem prokurorial të pavarur, të paanshëm, transparent dhe çdo herë në zbatim të ligjit.
Në frymën e kësaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se çfarëdo keqinterpretimi i ngritur në opinionin publik lidhur me moszbatimin e akteve ligjore është i paqëndrueshëm”, u tha në njoftim. /Telegrafi/