Seanca e rregullt ka nis me bojkotimin e saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar që fillimisht të mbahet seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga opozita.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se opozita ka kërkuar një seancë lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai u shpreh se veprimet e presidentit janë kundër Kushtetutës dhe se në seancën e jashtëzakonshme, opozita ka kërkuar që të votohet një rezolutë që do t’ia ndalojë këtë Thaçit.
“Unë iu ftojë kryetar i kuvendit që të thirreni seancën e jashtëzakonshme sipas kërkesës së opozitës, nuk është në rregull që të mbahet asnjë seancën e rregullt pa u kryer ajo e jashtëzakonshmja. Në mbledhjen e kryesisë ju keni kërkuar që të mbahet 61 deputet që të mbahet seanca, kjo është kundër kushtetuese. Krejt atë çka mund të bëj opozita është që të bëhet 41 nënshkrime, të kërkojë seancë të jashtëzakonshme dhe ju si shumicë parlamentare ta rrezoni ose ta votoni atë rezolutë. Me këtë formë të veprimit ju e keni bllokuar mbajtjen e seancën së jashtëzakonshme dhe punimet të këtij kuvendi dhe në shenjë të kësaj ne nuk do të marrim pjesë në seancë të rregullt pa u kryer seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga opozita. Unë ftoj të gjithë deputetët që të na bashkohen”, tha Hoti.
Deputetët e LDK-së dhe VV-së pastaj kanë lëshuar sallën ku po mbahet seanca e rregullt. Ndërkaq në seancë po vazhdojnë të qëndrojnë deputetët e PSD-së dhe Alternativës. /Telegrafi/