Seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës e cila nisi dje do të vazhdojë sot në orën 11:00.
Deputetët e LDK-së dhe VV-së dje bojkotuan këtë seancë, duke kërkuar që fillimisht të mbahet seanca e jashtëzakonshme e cila ishte thirrur më parë nga opozita.
Njëjtë do të veprojnë edhe sot, kështu kanë thënë për Telegrafin deputetë të të dyja partive.
Deputeti Armend Zemaj ka thënë shkurt se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme.
“Jo nuk do të marrim pjesë”, ka thënë Zemaj.
Edhe, deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka thënë për Telegrafin se deputetët e këtij subjekti nuk do të jenë të pranishëm në seancën e sotme e as në seancat e radhës, deri të mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita.
“Jo, dhe nuk do të marrim pjesë derisa të mbahet seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga opozita për të ndalur Thaçin që të bëjë pazare të dëmshme me Serbinë”, ka thënë Pacolli. /Telegrafi/