Telegrafi

Largohen policia dhe zjarrfikësit nga shtëpia, ku Sokol Halili ka vrarë vetën

Janë larguar Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit nga shtëpia, ku Sokol Halili ka vrarë vetën.

Lajmin për vetëvrasjen e Halilit e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i cili ka thënë se përkundër tentativës së zyrtarëve policorë që të negociojnë dorëzimin, dorasi ka vrarë veten.

“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, ka shkruar ai.

Pas gati dy ditësh në arrati, Sokol Halili – i dyshuar për vrasjen makabre të bashkëshortes së tij, Hamide Gashi, ka vrarë veten këtë të premte.

I njëjti ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e tij, e cila ishte e rrethuar nga policët të cilët po bënin tentativa negocimi për dorëzimin e tij.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se Halili është vrarë në katin e dytë të shtëpisë së tij, duke refuzuar kështu të binte në duart e organeve të rendit.

Sipas Jasharit, ai ka ndërruar jetë rrugës teksa po transportohej për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).