Telegrafi

Largohen edhe dy kamionët në veri të vendit

KFOR-i sot rreth orës 12:00 nisi largimi i dy kamionëve të bllokuar, që ishin pjesë e barrikadave në veri, përtej fshatit Grabovc, komuna e Zveçanit, përkatësisht te vendi i quajtur “Përroi i Zhazhës”.

Policia e Kosovës bëri të ditur për Telegrafin se aktualisht është e lirë për qarkullim vetëm një korsi.

Ndërkaq, automjete të rënda të KFOR-it larguan dy kamionët, shkruan KP, ku po asiston edhe Policia e Kosovës.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur në orët e mëngjesit se sot njësitet e KFOR-it do të largojnë mjetet e rënda (kamionët) e dëmtuar, të cilët kanë qenë të vendosur në lokacionin e quajtur “Përroi i Zhazhës”.

Në njoftimin e Policisë thuhej se për shkaqe pune dhe sigurie, nga mëngjesi një korsi e rrugës mbyllet për qarkullim, përderisa në mesditë përreth dy orë do të mbyllet komplet rruga për qarkullim në drejtimin Mitrovicë – Jarinjë, deri sa të largohen mjetet e rënda.

Ndërsa, vendosja e tyre është bërë për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës, Dejan Pantiq, i cili ditë më parë është dërguar në arrest shtëpiak. /Telegrafi/